www.shkodrasport.com
Klubi Vllaznia, të hënën mblidhet bordi për trajnerin
Tashmë “lufta” në kampin shkodran ka nisur. Drejtuesit e Bashkisë nuk e kanë ndër mend të tërhiqen nga kritikat në adresë të trajnerit Vata pas deklaratës së bërë nga nënkryetari Troshani në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të së premtes. Pritet që të hënën të ketë një tjetër mbledhje, kësaj rradhe të bordit drejtues të shoqërisë aksionere Vllaznia. Ende nuk dihet se çfarë tematike do diskutohet në këtë mbledhje por sigurisht që çështja e trajnerit do jetë tema kryesore e diskutimeve. Nuk është çudi që të ketë edhe një vendimmarrje për ndërprerje të kontratës me Rudi Vatën megjithatë kjo nuk ende një mundësi reale që të ndodhë. Përderisa, drejtuesit e klubit kanë deklaruar që në fillim se do zbatojnë kontratën deri në fund të saj, atëherë me shumë mundësi do ndodhë kjo edhe pas kësaj mbledhje. Por nga ana tjetër, shumëkush mendon se meqë “lufta” tashmë ka dalë hapur dhe është bërë publike, atëherë do ishte më mirë që “divorci” të ndodhte që tani ndërsa ana financiare e saj t’I ketë efektet deri në fund të kontratës. Edhe kjo ide ekziston në rradhët e drejtuesve të klubit megjithatë, burime pranë tyre deklarojnë se ata kanë pritur vetë Vatën pse jo të jepte dorëheqjen ndoshta menjëherë pas ndeshjes së Pogradecit. Ai se ka bërë këtë gjë sepse ka thënë që dëshiron ta çojë deri në fund misionin e tij. Në mes dorëheqjes së munguar dhe zbatimit të kontratës mund të ketë edhe vendimmarrje të bordit për largim të tij. Ndoshta vazhdimi në këto pozita është I pamundur teksa mes palëve mungon thuajse tërësisht dialogu. Skuadra kuptohet që nuk mund të humbasë gjë në këtë mes sepse fati I saj thuajse është I përcaktuar tashmë për të qenë në mesin e tabelës së renditjes. Në kushte të tilla, mbase do ishte më mirë që vetë Vata të largohej dhe para se ta bënte këtë gjë, të “zbraste” gjithë atë mllef që mund të ketë mbledhur përbrenda. Ndoshta drejtuesit e Bashkisë dhe ato të klubit këtë presin. Në kushte të tilla, mbledhja e të hënes pritet të jetë interesante. Me siguri që në të, përpara bordit nuk do thirret trajneri Vata. Tashmë palët janë vendosur në “’llogoret” e tyre. Ka qenë Bashkia dhe klubi që kanë “gjuajtur” të parët duke prishur “armëpushimin” e rremë që ekzistonte mes palëve. Ata presin kundërpërgjigjen e Vatës. Sigurisht që ai do mbrohet. Ajo që nuk dihet është nëse do ta bëjë këtë gjë tani apo më vonë. Palët nuk do kenë më të njëjtën rrugë në të ardhmen. Ajo që e ka pësuar sigurisht që është Vllaznia. Nëse ajo nuk ka arritur asnjë objektiv të saj këtë sezon, faji sigurisht që është edhe I këtyre marëdhënieve aspak të mira që kanë ekzistuar mes drejtuesve të klubit dhe trajnerit të paktën që nga fundi I dhjetorit.