Tek Vllaznia deri më tani çështja kryesore ka qenë ajo e emërimit të trajnerit të ri të ekipit të parë dhe njëkohësisht edhe e drejtorit sportiv të klubit.
Por një proces I tillë po shkon drejt fundit por tashmë në skenë pritet të dalë një problem tjetër tek kjo skuadër. Bëhet fjalë për rinovimin e futbollistëve që janë aktualisht nën kontratë.
Administratori Lici në daljen e tij të parë publike e ka bërë të qartë se niveli I rrogave dhe I kontratave do të ulet si për stafin teknik ashtu edhe për lojtarët.
Por është ende e paqartë nëse këta të fundit do ta pranojnë një gjë të tillë apo jo. Këtu bëhet fjalë për disa futbollistë që kanë qenë të mirëpaguar me rroga duke filluar nga 6 milionë lekë të vjetra në muaj apo dhe 5, 4 e 3 milionë.
Me shumë të ngjarë rrogat për futbollistët në sezonin e ri kur skuadra do të luajë në kategorinë e parë, do të jenë të gjitha poshtë 2 milionë lekëve të vjetra. Tashmë mbetet për t’u parë se cilët lojtarë do të jenë në planet e trajnerit të ri dhe cilët jo.
Ata që do jenë, do të nisin menjëherë bisedimet me administratorin për të firmosur kontratat e reja dhe pikërisht këtu mund të ketë edhe firo. Një gjë e tillë do të krijonte probleme sepse aktualisht Vllaznia nuk ka luksin e kohës të presë apo të seleksionojë të tjerë.
Kampionati nis pas një muaji dhe madje skuadra nuk ka kohë as për fazë përgatitore dhe jo më të presë lojtarë të tjerë për të ardhur. Gjërat duhet të marrin zgjidhje shumë shpejt dhe drejtuesit e klubit e kanë të qartë këtë gjë.
Kuqeblutë do të kenë një sezon të vështirë megjithatë një nisje e mbarë e kampionatit do të thoshte shumë për ta. Objektivi është I qartë:
Vllaznia duhet të ngjitet me çdo kusht në Superligë në fund të sezonit, pavarësisht se kush do të jenë trajneri I saj dhe kush do të jenë futbollistët që do të luajnë në fushë.
© shkodrasport.com