Ditën e djeshme klubi i Kukësit ka festuar 90 vjetorin e krijimit të tij dhe përveç urimeve të shumta, kuptohet që drejtuesit kanë kërkuar fitoren ndaj Vllaznisë, në mënyrë që të festonin më pas të gjithë sëbashku këtë ditëlindje.
Por në fakt nuk ka ndodhur kështu. Barazimi 0-0 i arritur në “Elbasan Arena” ka dëshpëruar të gjithë. Jo për dy pikët e lëna, por sepse tashmë diferenca me Tiranën kryesuese ka shkuar në gjashtë pikë dhe gjërat bëhen gjithnjë e më të vështira për kukësianët në garën e tyre për titullin kampion.
Shkodranët kësisoj “ia prishën’ festën kukësianëve por në fakt e njëjta gjë ka ndodhur edhe tre javë më parë me vetë kuqeblutë. Ata luanin në Durrës pikërisht më 16 shkurt, ditën e festimit të 101 vjetorit të klubit Vllaznia ndaj Teutës vendase dhe kërkonin fitoren për ta festuar si duhet këtë përvjetor.
Por në fakt nuk ndodhi ashtu. Ndonëse e filluan mirë ndeshjen duke shënuar të parët me Gurishtën, më pas pësuan tre gola dhe Teuta në fund fitoi 3-1 duke bërë që në kampin shkodran askush të mos e kishte mendjen tek përvjetori i klubit.
www.shkodrasport.com