Ecuria e Vllaznisë sivjet në kampionatin e kategorisë së parë duket e mirë. Ajo kryeson renditjen në grupin A dhe konsiderohet pretendentja kryesore për ngjitjen në Superligë. Siç dihet, ekipi shkodran luan për herë të tretë në historinë e tij një kategori më poshtë asaj më të lartës.

Ka ndodhur kështu edhe në vitin 1957 (kur Vllaznia luante me emrin Puna Shkodër ngaqë të gjithë ekipet e Shqipërisë atë vit kishin emrin “Puna”) dhe në vitin 1962. Ajo që e bën shumë interesant krahasimin me ecurinë në këto dy kampionate, ka të bëjë me një ngjashmëri thuajse perfekte me ecurinë aktuale.

Në sezonin aktual, Vllaznia në 12 ndeshje, ka arritur 10 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. E pabesueshme por edhe në 12 ndeshjet e para të kampionatit të kategorisë së dytë, ajo (luante me emrin Puna Shkodër atëherë) ka të njëjtën ecuri: 12 ndeshje, 10 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje.

Gati e njëjta gjë edhe në kampionatin e vitit 1962 por me një ndryshim të vogël: Në 12 ndeshje kishte 9 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje. Në dy rastet e mëparshme, Vllaznia u ngjit menjëherë në kategorinë më të lartë të futbollit shqiptar dhe kjo koinçidencë shifrash mund të thotë se edhe sivjet, ngjitja në SUperligë do të jetë punë e kryer.
© shkodrasport.com