Viti 2011 po mbyllet dhe ekipet e të rinjve të basketbollit ende nuk e dinë se kur do ta nisin kampionatin e tyre. Kjo situatë ka sjellë një rrëmujë të vërtetë e për më tepër po u shkakton jo pak probleme edhe trajnerëve që merren me stërvitjen e këtyre ekipeve. Kështu i ndodh edhe trajnerit të të rinjve të Vllaznisë Roland Koka. Duke folur për gazetën sportive online “Shkodra Sport.com” ai është shprehur: “Kjo vonesë e nisjes së kampionatit ka krijuar jo pak probleme për ne sepse sportistët pa ndeshje është e vështirë t’i mbash. Janë të rinj dhe kur nuk luajnë, ata preferojnë edhe ta lënë sportin.

Një vonesë e tillë e nisjes së kampionatit është pak e paaryeshme megjithatë është Federata ajo që vendos”. Por përveç problemit të mosnisjes së kampionatit, për trajnerin e të rinjve të Vllaznisë Koka problem i madh është edhe mungesa e një vendi për stërvitje. “Kushtet i kemi shumë të vështira në këtë drejtim. Vetëm një ditë në javë kemi të drejtë të hyjmë në pallatin e sportit dhe në ditët e tjera, ku të mundemi. Kemi gjetur ndonjë palestër shkolle, edhe atë jo shumë të përshtatshme dhe kjo gjë krijon probleme. Rinia sot kur nuk i plotëson kushtet, mërzitet dhe largohet nga sporti sepse në fund të fundit edhe nuk po fiton gjë me të. Mbesim me shpresë se gjërat do rregullohen por nuk po shohim asgjë pozitive në këtë drejtim”-ka thënë ai. Kohë më parë, Roland Koka ka gjetur në shkollat e qytetit një djalë të gjatë 2.02 m shumë të përshtatshëm për basketboll nisur nga shtatëlartësia e tij, e mori në palestër, punoi disa kohë me të dhe kur mendonte se do ta kishte të gatshëm për të luajtur, ai u mërzit dhe e lë sportin. Ky është një shembull i problemeve që hasin sot trajnerët, shoqëruar këtu edhe me mungesën e kushteve për stërvitje apo dhe gjërave të tjera

shkodrasport.com