Presidenti i Apolonisë Koço Kokëdhima është shprehur se vendimi për bojkotimin e kampionatit ishte shumë i vështirë, por ishin të detyruar ta merrnin, pas premtimeve të pa mbajtura të qeverisë. Ai u shpreh se gjysmat e klubeve janë me llogari të bllokuara dhe nuk mund të vazhdohet kampionati duke e fshehur kokën si “struc”.
“Sot në mbledhje, bëmë diskutime shumë të frytshme, për përmirësimin e bashkëpunimit, mes FSHF dhe faktorëve të tjerë që rregullojnë cilësinë e futbollit. Morëm një vendim që nuk ishte i lehtë. Të gjithë klubet ishin të zhgënjyer me vendimet e marrë nga qeveria në lidhje me sportin. Ato premtime nuk janë përmbushur,. Mbi ato premtime janë ndërtuar kërkesat e botës së futbollit, të cilat ju dërguan qeverisë, por pas një viti e gjysmë morën përgjigje zhgënjyese. Kështu që ne formuluam sot 4 kërkesa:
Miratimi i një ligji të ri për sponsorizimet sipas formës së propozuar nga komuniteti i futbollit, pasi ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk kanë asnjë efekt.
Përfshirjen e të gjitha aktiviteteve ekonomike të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6% si bujqësia dhe turizmi dhe jo vetëm infrastrukturën sportive.
Zerimin e gjobave dhe kamatë-vonesave për detyrimet fiskale të prapambetura për të shmangur kolapsin financiar të klubeve.
Zgjatjen e efekteve të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat për sportistët nga 2 në 10 vite.
Shumë klube janë me llogari të bllokuara dhe nuk është e mundur që të vazhdohet gara. Nuk i kemi kërkuar qeverisë të falen tatimet, por të falen gjobat dhe kamatëvonesat.
Tryeza e mbledhjes së Ligës mori një vendim të vështirë, për të bojkotuar kampionatin e ardhshëm nga 12 shtatori dhe në vazhdim pa afat. Është bërë një diskutim shumë i gjatë të cilin ne nuk do e kishim dashur, por kjo ishte për shkak se qeveria e ka braktisur sportin. Këtë përgjegjësi ne nuk mund ta mbajmë vete.
Ky nuk është një veprim i nxituar, është i imponuar jemi të imponuar të bëjmë kështu. Ishin ët gjitha votat. Nuk do të vazhdojë gara. Si mund të vazhdojë kur gjysma e klubeve janë të bllokuara në llogari. Si do vazhdohet gara, duke e fshehur kokën si struc?!”, u shpreh Kokëdhima për mediat.