Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar nuk ia ka hequr bursën olimpike peshëngritësit shkodran Erkand Qerimaj. Kërkesa ishte bërë nga ana e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes por në mbledhjen e djeshme të Komisionit teknik të KOKSH, kjo kërkesë ka rënë poshtë. Madje, është vendosur prej tij, që si Qerimajt ashtu edhe Pulakut, peshëngritësit tjetër që pretendohej t’i kalohej bursa, t’i shtohet pagesa për stërvitjen në mënyrë që atyre t’u krijohen të gjitha kushtet e nevojshme për t’u përgatitur sa më mirë për Olimpiadën e Londrës që zhvillohet këtë verë. Kësisoj KOKSH ka hedhur poshtë kërkesën e federatës së shtangës e cila krijoi jo pak pakënaqësi tek Erkand Qerimaj sepse ai prej vitesh është nga sportistët më të mirë në vend. Qerimaj po përgatitet për të marrë pjesë në Kampionatin Europian që zhvillohet në Antalia të Turqisë që zhvillohet në muajin prill dhe përgatitjet vendimtare për këtë aktivitet të rëndësishëm, pritet t’i bëjë ndoshta sërish në Greqi, aty ku është stërvitur edhe më parë nën kujdesin e presidentit të federatës së këtij vendi, të mirënjohurit Piro Dhima. E rëndësishme është që Erkand Qerimaj e zotëron sërish bursën olimpike si një nga sportistët më të mirë të Shqipërisë.

www.shkodrasport.com