Nesër dhe pasnesër në Shkodër do të zhvillohet kupa “Agim Tafili”. Një aktivitet i organizuar nga Bashkia Shkodër në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Çiklizmit, për të nderuar këtë figurë të madhe të këtij sporti.
Ekipi i Vllaznisë ka kohë që përgatitet për këtë aktivitet dhe pas suksesit në kupën “26 Marsi” ata do të tentojnë të bëjnë të njëjtën gjë edhe në këtë aktivitet të dytë të këtij viti.
“Padyshim që e presim me shumë interes këtë kupë të zhvilluar nga Bashkia Shkodër dhe Federata për të nderuar një emër të madh të këtij sporti si Agim Tafili.
Çiklistët e Vllaznisë “e kanë për detyrë” të triumfojnë në këtë aktivitet sepse kështu do ta nderojmë edhe më mirë njeriun për të cilin zhvillohet ai.
Ekipi i Vllaznisë do të tentojë të njëjtin sukses si para tre javësh në Kavajë dhe do të synojmë triumfin si në renditjen individuale ashtu edhe në atë ekipore sepse kemi punuar për këtë gjë”- është shprehur trajneri i ekipit shkodran Leonat Kola.
Ditën e nesërme do të zhvillohet etapa e parë e kupës “Agim Tafili”, ajo Tiranë- Shkodër dhe çiklistët pritet të mbërrijnë në qendër të qytetit rreth orës 12.00.
© shkodrasport.com