Dy volejbollistë shkodran kanë marrë trofeun e tyre të parë në karrierën sportive me të rriturit. Edhe pse të dy kanë shumë vite që bejne sport kanë arritur që të sigurojnë suksesin e tyre të parë. Bëhet fjalë për volejbollistët Renato Kola dhe Endri Jukni. Të dy këta tashmë me ekipin e Teutës pak ditë më parë fituan Kupën e Federatës këtë vit me emrin “Juxhin Guza” në nder të ish-volejbollistit durrsak që humbi jetën tragjikisht me 12 shtator.
Kola e Jukni ishin pjesë e rëndësishme e formacionit të Teutës dhe të dy bashkë me pjesën tjetër të ekipit arritën të triumfojnë dhe të jenë të suksesshëm. Shkodranët u larguan nga Vllaznia gjatë merkatos së verës vetëm për kushte më të mira në Durrës, kryesisht për një kontratë më të mirë që ofruan durrsakët. Volejbollistët pranuan ofertën dhe u bashkuan me Teutën teksa menjëherë nisën përgatitjet atje. Tashmë në paraqitjen e tyre të parë në një kompeticion zyrtar arrijnë që të marrin trofeun e parë të karrierës. Këtë për shumë vite nuk arritën ta realizonin tek Vllaznia, ekipi i tyre i mëparshëm edhe pse para dy vitesh ishin shumë pranë por në takimin e fundit final u mundën në atë kohë nga Studenti. Kola në rolin e një lojtari të lirë që njihet me emrin libero në volejboll e ka nisur sportin në një moshe të re. Për një vit luajti me të rinjtë e Vllaznisë dhe më pas kaloi menjëherë tek të rriturit. Me kuqeblutë Kola numëron 8 vite tek skuadra e parë. Gjithnjë ka qenë një volejbollist stabël i formacionit duke dhënë kontributin e tij. Po ashtu e njëjta situatë është edhe për Endri Juknin i cili edhe ai më parë ka luajtur me të rinjtë e Vllaznisë duke fituar disa tituj Kampion dhe më pas është aktivizuar me të rriturit por pa arritur të marrë trofe. Atë që nuk e bënë tek Vllaznia shkodranët e realizojnë por tashmë me Teutën dhe jo ekipin që u formuan e luajtën për shumë vite. Natyrisht që për sa kohe sportet në Shkodër do mbahen vetëm sa për të mbijetuar shkodranët që i përgatisim vetë do të na nderojnë por në emër të skuadrave, qyteteve e shteteve të tjera.