Aristidi Kolaj ka qenë i pafat sot teksa ka parë se si Pro Patria e tij është ndalur që në ndeshjen e parë të play-off duke i dhënë fund ëndrrave për ngjitjen në Serinë B. Në turin tjetra ka kaluar Juventusi U23 i Xhakomo Vrionit, që e ka mundur me shifrat 3-1, edhe pse mesfushori shqiptar i ka shkuar shumë pranë golit.
Kolaj ishte protagonist me disa aksione individuale, ku sidomos për t’u kujtuar ishte ai i minutës së 52 kur mori topin në gjysmëfushën e vet dhe pasi kaloi çdo kundërshtar që i doli para, gjuajti drejt katërkëndorit, por sfera u ndal në traversë.
Pak minuta më vonë erdhi goli i 2-1 për Juventusin që në fund të sfidës shënoi edhe atë të 3-1 që siguroi kalimin në fazën tjetër të playoff. Kolaj la fushën e lojës në minutën e 68, pikërisht atëherë kur në fushë u fut Vrioni për bardhezinjtë, duke ndihmuar në minutat e fundit ekipin e tij të administronte ndeshjen e siguronte kalimin në fazën tjetër.
Ndërkohë, të kualifikuara për në fazën e dytë play-off janë edhe disa futbollistë të tjerë kuqezinj. Groseto ku luajnë Kalaj e Kraja, ka mundur me shifrat 4-1 Lekon. Të dy lojtarët shqiptarë u aktivizuan në pjesën e dytë të kësaj sfide, duke dhënë kontributin e tyre për të siguruar një kualifikim të rëndësishëm.
Në turin tjetër është edhe Palermo i Masimiliano Dodës, i cili shte titullar në fitoren 2-0 ndaj Teramos, për të vazhduar rrugëtimin e mëtejshëm me shpresën që të sigurojë kalimin e ekipit të tij në Serinë B. /vipsport/