Nëse flasim për garat e kërcimeve në atletikën shqiptare, padyshim që emrat më të rëndësishëm të saj prej shumë vitesh, kanë dalë nga Vllaznia. Kampionët më të fundit janë Izmir Smajlaj, Heldi Valikaj, Muhamet Çangeli apo së fundi edhe Kolindo Kiri.

17 vjeçari në garat e djeshme të vlefshme për Kampionatin Kombëtar Individual Dimëror që u zhvilluan në Elbasan, ka kërcyer 14.87 metra, më shumë se gjithë të tjerët dhe ka zënë vendin e parë duke u shpallur kampion.

Kuptohet që kënaqësia tek ai ka qenë e madhe, por ky është vetëm fillimi sepse synimet janë shumë të mëdha. Duke filluar tek Kampionati Ballkanik U20 që zhvillohet muajin e ardhshëm në Beograd dhe ku ai synon të jetë në podium, pse jo në vendin e parë.

Kolindo ka dhënë një intervistë mbrëmjen e sotme për gazetën “Shkodra Sport” ku ka folur për shumë gjëra, intervistë të cilën mund ta ndiqni më poshtë:


– Kolindo, urime për suksesin e djeshëm…

Faleminderit!


– I lumtur për këtë sukses?

Po jam shumë i lumtur për vendin e parë por edhe për rezultatin që unë dhe profesori Bruno Rrotani arritëm diten e djeshme në Elbasan.


– Ky ishte i pari titull me të rriturit për ty?

Po, ishte medalja e parë e imja me të rriturit.


– Thatë që jeni të kënaqur me rezultatin. Ishte rezultat i mirë ai në trehapësh?

Po shume rezultat premtues per moshen qe une kam sepse isha 82 cm plus kapjes së normes për pjesmarrjen në Kampionatin Ballkanik U20 qe do zhvillohet ne Beograd të Serbisë muajin e ardhshëm. Rezultati im i djeshëm ishte 14.87 metra, ndërsa norma ishte 14.05 metra.


– Pra, do te marresh pjese ne Kampionatin Ballkanik U20?

Po, ai zhvillohet më 12 shkurt.

– Çfarë do të synosh atje?

Me punen qe une dhe profesori im Bruno po bejmë, synojme podiumin dhe pse jo medaljen e artë.

– Ke ndonje synim per distancen qe mund te kercesh në Beograd?

Synoj të kërcej mbi 15 metra.

– Sa vjet ke që merresh me atletikë?

6 vjet. E kam filluar në moshën 11 vjeçare dhe vazhdoj me të njëjtin pasion si ditën e parë.

– Pse e ke zgjedhur këtë sport?

Sepse esht nje sport individual dhe me pelqen qe te gjithe arritjet e mia te gezoj unë, profesori im Bruno Rrotani dhe familja ime.

– Kujt ia dedikoni këto çfarë keni arritur deri tani në karrierën time?

Ia dedikoj profesorit tim për punën që ka bërë me mua dhe familjes time.

– Çfarë objektivash ke në karrierën tande?

Të jem një sportist elitar për vllazninë e Shkodrës dhe një sportist me medalje të arta ndërkombëtare.


– Konkurroni në disa gara, por cila është disiplina jote e preferuar?

Disiplina e preferuar është ajo në të cilën garoj, trehapëshi.


– Synon të jesh edhe rekordmen i kësaj gare?

Së pari synoj atë rekordin e U20 dhe pastaj pse jo dhe rekordin e të rriturve. Rezultati im më i mirë është ai që kam arritur dje, 14.87 metra, ndërkohë që rekordi i U20 mbahet nga atleti shkodran Heldi Valikaj me distancën 15.51 metra./SHKODRA-SPORT.COM/