Kombëtarja U-19 e vajzave korri suksesin e dytë brenda pak ditësh në ndeshjet e raundit të parë të kualifikueseve të Europianit 2025 për këtë grupmoshe duke mposhtur me rezultatin 3-0 Moldavinë në stadiumin ‘Arena Kombëtare’. Goli i Stela Vatës, një autogol i Moldavisë dhe një gol i kapitenes Xhesika Ndoj vendosën sfidën, që u dominua thuajse në të 90-të minutat nga Shqipëria. Trajnerja Luçije Gjini e nisi me këtë formacion ndeshjen: Spahiu (GK), Hasaj, Nika, Hysa, Vata, Hoxhaj, Qose, Ndoj (c), Methoxha, Ago, Vasa.

Ndeshja nisi mjaft mirë për Shqipërinë e Luçije Gjinit, duke kaluar në avantazh që në minutën e 6-të.Pas një aksioni të bukur nga Klesta Ago, topi i goditur u ndal në shtyllë dhe më pas përfitoi Stela Vata për ta dërguar në rrjetë.1-0 për Shqipërinë dhe festë kuqezi në pankinë e tribuna.

Skuadra mban mirë ritmin e lojës dhe nuk humb për asnjë minutë freskinë e dëshirën për të shënuar gola të tjerë. Moldavia shënon autogol, duke i dhuruar një gol të dytë vajzave kuqezi, teksa rezultati i ndeshjes shënon 2-0 për Kombëtaren. Pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat.

Fraksioni i dytë nis në mënyrë të shkëlqyer për Shqipërinë. Xhesika Ndoj shënon golin e tretë për skuadrën. Një gol fantastik nga distanca, që vjen pas disa pasimeve dhe më pas është kapitenia Ndoj ajo e cila tenton nga larg dhe mposht portieren moldave. 3-0 për Kombëtaren shqiptare.

Takimi u mbyll me këtë rezultat, me kuqezezat që marrin kështu tre pikët e radhës dhe kanë grumbulluar në total 6 pikë po aq sa Bjellorusia e vendit të parë. Shqipëria do të luajë ndeshjen e tretë dhe të fundit ndaj Bjellorusisë të martën e 3 dhjetorit në ora 13:30. Kjo sfidë do të vendosë edhe se cila Kombëtare do të kalojë në Ligën A në raundin e dytë.

Kombëtarja U-19 ka nevojë për tifozët në këtë sfidë dhe për këtë arsye FSHF fton të gjithë shqiptarët të bashkohen së bashku në shkallët e stadiumit ‘Arena Kombëtare’ për të përkrahur skuadrën. Në takimin tjetër të grupit, që u luajt në ‘Shtëpinë e Futbollit’, Bjellorusia mposhti Malin e Zi me rezultatin 4-0.