Ditën e djeshme janë zhvilluar ndeshjet e javës së dytë të kampionatit të ekipeve kombëtare rajonale. Në Kamëz, ekipet e Zonës së Shkodrës janë ndeshur me ato respektive të Fierit me të cilat kanë arritur të fitojnë një ndeshje, të barazojnë një dhe të humbasin një. Më i suksesshmi këtë javë ka qenë ekipi U-17 që drejtohet nga trajneri Edi Martini. Ai ka mundur përfaqësuesen e Fierit me rezultatin e thellë 5-1.

Autorë të golave për shkodranët kanë qenë Asllani (2), Krymi, Turishta dhe Djala. Me këtë fitore, ky ekip mban vendin e dytë në renditje me tre pikë të grumbulluara. Sakaq, kombëtarja U-15 e Zonës së Shkodrës që drejtohet nga Vioresin Sinani, ka barazuar 3-3 ndaj fierakëve. Golat për të janë shënuar nga Alivoda, Shpuza dhe Gjoka. Shkodranët kanë qenë në avantazh në fakt deri në fund por fierakët kanë arritur të barazojnë. Me këtë rezultat ky ekip me 4 pikë mban vendin e parë në renditje. Sakaq, Shkodra U-13 që drejtohet nga Elvin Beqiri, ka humbur këtë herë me rezultatin 0-2.

© shkodrasport.com