Prej pak ditësh në Shkodër, bashkë me boksierët e kombëtares shqiptare, janë duke u stërvitur edhe dy boksierë të kombëtares së Kosovës si dhe trajneri i tyre. Ata kanë vendosur të jenë në këtë qytet, natyrisht falë mikëpritjes së vendasve për t’i krijuar mundësinë e përgatitjes ashtu si duhet për turneun ndërkombëtar të Turqisë ku të dy ekipet do të marrin pjesë në muajin e ardhshëm. Trajneri i kombëtares kosovare Shefki Bogujevci në një intervistë pëshkodrasport.com  bën të ditur edhe objektivat që do të kenë me boksierët pjesmarrës.

“Kemi ardhur në Shkodër falë mikëpritjes së trajnerëve Gjoni e Sermi por edhe mundësisë që na krijohet për të zhvilluar sparingje me boksierët e kombëtares shqiptare. Ne po përgatitemi për të udhëtuar drejt Turqisë, aty ku do të synojmë të paraqitemi sa më mirë, me idenë dhe shpresën që të sigurojmë kualifikimin për në Olimpiadë. Kuptohet që kemi besim tek të dy sportistët tanë, si Sylejmanin ashtu edhe Xhoxhajn megjithatë çdo gjë varet edhe nga shorti por edhe nga pjesmarrësit megjithatë tek Xhoxhaj kemi shpresë se mund të bëjmë diçka të mirë. Ndërkohë, përveç dy boksierëve kosovarë, në turneun e Turqisë që do të zhvillohet në datat 7- 17 prill, do të marrë pjesë edhe kombëtarja shqiptare e përbërë nga Krenar Zeneli në peshën 56 kg, Alban Beqiri në 69 kg, Arjon Kajoshi në 75 kg, Syrjan Marinaj në 81 kg dhe Nelson Hysa në peshën super të rëndë +91 kg, e drejtuar nga trajneri Zef Gjoni. Kuptohet që turneu është shumë i rëndësishëm sepse i jep të drejtën sportistëve për kualifikimin për në Olimpiadë dhe për këtë arsye, do të tentohet arritja e këtij rezultati historik.
Gjergj KOLA