Kombëtarja shqiptare e boksit për 18 vjeçarë është grumbulluar prej disa ditësh në qytetin e shkodrës në kuadrin e përgatitjeve për kampionatin Europian që do të zhvillohet në muajin e ardhshëm në Roterdam të Hollandës. Pjesë e kësaj kombëtareje janë edhe dy boksierët e Vllaznisë Rexhildo Zeneli që do të konkurrojë në peshën 56 kg, Syrjan Marinaj që do të konkurrojë në peshën 75 kg. Pjesë e ekipit kombëtar do të jetë edhe boksieri i Flamurtarit Krenar Zeneli që do të konkurrojë në peshën 52 kg. Garat e Kampionatit Europian do të zhvillohen në Hollandë në datat 12 deri më 17 gusht dhe kombëtarja jonë do të qëndrojë e grumbulluar në Shkodër deri një ditë para nisjes për atje. Tre boksierët do të shoqërohen në këtë eveniment të rëndësishëm nga dy trajnerët shkodranë Zef Gjoni dhe Jozef Sermi. Ata pretendojnë të bëjnë një paraqitje të mirë me këta tre sportistë dhe pse jo të tentojnë të hyjnë në zonën e medaljeve. Kemi të bëjmë me një brez sportistësh me shumë të ardhme. Stërvitja që është duke u zhvilluar gjatë këtyre ditëve është shumë intensive, me nga dy séanca në ditë dhe shpresohet që Rexhildo Zeneli, Syrjan Marinaj dhe Krenar Zeneli të kapin formën e duhur përpara nisjes së ndeshjeve të vlefshme për këtë europian.

Gjergj  KOLA