www.shkodrasport.com
Kombëtarja e atletikës s’merr pjesë në Kampionatin Ballkanik
Ditën e nesërme duhej të nisej drejt Turqisë ekipi kombëtar shqiptar i atletikës për të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik të sallave të mbyllura që do të zhvillohet më datë 18 shkurt në Stamboll të Turqisë. Në përbërje të këtij ekipi ishin edhe tre atletët shkodranë, Elvedin Meti, Durjon Idrizaj dhe Elsid Dizdari. Bashkë me të, në rolin e liderit të ekipit ishte edhe i mirënjohuri Arben Mlloja. Por lajmi më i fundit që mësohet është se Federata Shqiptare e Atletikës e ka anulluar pjesmarrjen e kombëtares tonë në këtë Ballkaniadë. Arsyeja ka qenë se kombëtarja jonë, për mungesë fondesh nuk do udhëtonte me avion nga Tirana por kishin zgjedhur linjat e autobuzave. Por agjensitë që merren me këtë lloj transporti, nuk e kanë marrë përsipër udhëtimin nisur nga kushtet aspak të mira atmosferike që po mbizotërojnë ditët e fundit. Në këtë mënyrë, sportistët janë lajmëruar që nuk do marrin pjesë në këtë Kampionat Ballkanik. Sigurisht që ata kanë ndjerë keqardhje për këtë gjë por në Shqipëri nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Elvedin Meti, njëri nga pjestarët e kombëtares sonë dhe sportist i klubit Vllaznia sigurisht që nuk e ka pritur mirë një lajm të tillë sepse kuptohet marrja pjesë në evenimente të tilla ku mund të matesh me më të mirët e rajonit, është kënaqësi për të gjithë.