
Kombëtarja shqiptare e boksit që prej ditës së hënë është grumbulluar në Shkodër, në përgatitjet për memorialin ndërkombëtar që do të nisë javën e ardhshme në këtë qytet. Të grumbulluar janë 15 boksierët më të mirë të vendit të cilët në ditët në vazhdim do të seleksionohen sërish për të përzgjedhur më të mirët. Ndërkohë trajneri I kombëtares shqiptare Skënder Kurti, në një prononcim për gazetën shkodrasport.com ka bërë të ditur se pavarësisht pjesmarrjes së shumë boksierëve të njohur nga shumë vende të Europës, sërish boksierët tanë do të tentojnë të futen në zonën e medaljeve. “Do të tentojmë që me 2, 3 ose dhe 4 pesha të futemi në zonën e medaljeve. Kuptohet që nuk do të jetë e lehtë sepse edhe ekipet që vijnë kanë në gjirin e tyre boksierë shumë të mirë”- ka thënë ai.Memoriali I 12-të ndërkombëtar I boksit do të nisë më 16 prill dhe do të zhvillohet për tre ditë me rradhë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Sportdashësit shkodranë ashtu si dhe vitet e tjera pritet të mbushin pallatin e sportit për të ndjekur ndeshje vërtetë interesante në mes boksierëve pjesmarrës.
Gjergj KOLA