
Tre boksierë të kombëtares shqiptare janë nisur në orët e para të mëngjesit të sotëm drejt Rumanisë për të marrë pjesë në Kampionatin Europian të 22 vjeçarëve që do të zhvillohet atje. Bëhet fjalë për Krenari Zenelin që do të konkurrojë në peshën 56 kg, Arjon Kajoshin në peshën 75 kg dhe Indrit Laçin në peshën 91 kg. Ata janë të shoqëruar nga trajnerët Zef Gjoni dhe Jozef Sermi. Ky kampionat do të zhvillohet në qytetin Braila të Rumanisë dhe ndeshjet nisin ditën e nesërme ndërsa aktiviteti zgjat deri më datë 22. Trajneri Gjoni përpara nisjes, në një prononcim për “SHKODRA SPORT” ka lënë të kuptojë se objektivi do të jetë futja në zonën e medaljeve. “Kemi kohë që përgatitemi për këtë kampionat. Madje, me dy prej boksierëve, Kajoshin e Zenelin, ne jemi në fazë përgatitore të grumbulluar në Shkodër që në muajin janar ndërkohë që prej kohësh me ta është bashkuar edhe boksieri tjetër Laçi. Forma sportive e këtyre sportistëve duket e mirë dhe natyrisht që kemi pretendimet tona për futjen në zonën e medaljeve megjithatë duhet parë edhe shorti dhe shumë gjëra të tjera që kanë të bëjnë me këtë garë. Kemi të bëjmë me një brez sportistësh të ri që premtojnë shumë për të ardhmen dhe për këtë arsye, unë kam shumë besim tek to. Federata Shqiptare e Boksit me mundësitë që ka patur është munduar që të na krijojë kushtet e duhura për grumbullim megjithatë duhet më shumë mbështetje në mënyrë që të konkurrojmë si të barabartë me boksierët e tjerë të vendeve të ndryshme të Europës të cilët stërviten në kushte shumë më komode se ne. Megjithatë, falë pasionit dhe talentit të sportistëve tanë, do të mundohemi të shfaqemi si të barabartë dhe të triumfojmë ndaj tyre”- është shprehur ai.
© shkodrasport.com