Kombëtarja shqiptare e boksit, në përbërje të së cilës janë 5 sportistë, që nga dita e sotme është grumbulluar në Shkodër. Boksierët e përzgjedhur nga stafi i ekipit kombëtar do të përgatiten këtu për një periudhë dyjavore në prag të marrjes pjesë në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Azerbajxhan. Sipas trajnerit Zef Gjoni, këtë herë përgatitjet falë edhe mbështetjes që ka dhënë Komiteti Olimpik po bëhen në mënyrën e duhur dhe për rrjedhojë, kjo lë shpresa për një paraqitje më të mirë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm. “Këtë herë gjërat kanë ndryshuar. Falë një interesimi më të madh të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar në bashkëpunim me Federatën e boksit, është bërë i mundur ky grumbullim dyjavor në Shkodër përpara nisjes për në Azerbajxhan ku do të marrim pjesë në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet atje. Por jo vetëm kaq. Në fillim të muajit qershor do të nisemi drejt Azerbajxhanit sepse na është mundësuar edhe një stërvitje 10 ditore atje përpara nisjes së ndeshjeve. Tashmë është në dorën tonë të punojmë fort në mënyrë që të tentojmë ta shfrytëzojmë edhe këtë mundësi që kemi për t’u kualifikuar për në Lojërat Olimpike. Ka një favor sepse ata sportistë që e kanë siguruar të drejtën e kualifikimit për në Olimpiadë, nuk do të marrin pjesë në këtë Botëror dhe përpos kësaj, në secilën peshë sigurojnë kualifikimin nga pesë sportistë. Kjo do të thotë se ne kemi shanse dhe duhet t’i shfrytëzojmë ato”- është shprehur ai. I pyetur se tek cili sportist ka më shumë besim tek kualifikimi për në Lojërat Olimpike, trajneri Gjoni ka lënë të kuptojë se kush do ketë formën më të mirë, do të ketë më shumë shanse duke mos ja lënë gjithçka shortit. “Më parë kemi thënë se shanset tona ishin edhe tek shorti, këtë herë them ndryshe. Varet nga përgatitja e sportistëve tanë kualifikimi apo jo në Olimpiadë. Turneu që zhvilluam muajin e kaluar në Turqi na ka vlejtur shumë sepse kemi mësuar se edhe kush janë kundërshtarët tanë dhe tashmë duhet të arrijmë suksesin historik”- është shprehur trajneri Gjoni.Pesë boksierët e thirrur për këtë botëror janë 56 kg Krenar Zeneli, 60 kg Taulant Zajmi, 69 kg Alban Beqiri, 75 kg Arjon Kajoshi dhe 81 kg Syrjan Marinaj. Ata po stërviten nga trajnerët Zef Gjoni, Renato Kurti dhe Jozef Sermi duke qenë sërish përpara dëshirës së arritjes së objektivit madhor për sigurimin e kualifikimit për në Olimpiadë.
Gjergj KOLA