Kombëtarja shqiptare e boksit është nisur paraditen e së enjtes drejt Kosovës ku do të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar “Adem Jashari”, aktivitet ky që do zhvillohet për 2 ditë me rradhë e pikërisht në datat 15 e 16 nëntor. Ndeshjet e këtij aktiviteti do jenë të ndarë në 2 qytete. Ditën e parë ndeshjet do zhvillohen në qytetin e Prishtinës kurse ndeshjet finale do zhvillohen në Gjilan. Ekipi jonë kombëtar do marrë pjese me  6 sportistë nga të cilët 4 janë të Vllaznisë dhe pikërisht Rexhildo Zeneli, Kristian Shytani, , Asmer Bilali dhe Emiliano Çekini si dhe dy boksierë të ekipit të Tiranës,  Anxhelo Merkohasanaj dhe Alban Bermeta. Para nisjes për në Kosovë, trajneri I kombëtares sonë Zef Gjoni është shprehur entuziast për një tjetër paraqitje të mirë të boksierëve tanë. “Federata dhe presidenti e kanë ndër mend të marrin masa e ndëshkime dhe harrojnë të interesohen për ekipin kombëtar por ne po bëjmë punën tonë dhe pas dy medaljeve të arta që sollëm nga Shkupi javën e shkuar, do të sjellin të tjera nga Kosova këtë herë. Kemi kohë që stërvitemi dhe besoj se do paraqitemi denjësisht edhe në këtë aktivitet”- ka thënë ai.Pjesmarrja me 6 boksierë në këtë aktivitet pritet të shoqërohet edhe me rezultate positive dhe trajneri Gjoni mendon se nisur edhe nga rivaliteti I madh që pritet të ketë në këtë turne, do ishte I kënaqur edhe me dy vende të para. “Na janë prishur disi planet me Zenelin që nuk do konkurrojë në peshën e tij 56 kg por 60 kg megjithatë do shohim se çfarë do bëjmë. Meqë marrin pjesë boksierë të njohur nga shumë vende, do isha i kënaqur nëse do zinim dy vende të para megjithatë mund të ketë edhe më shumë, në varësi të shortit dhe ecurisë”- ka thënë trajneri i kombëtares sonë Zef Gjoni.Në kupën “Adem Jashari”  të këtij edicioni, do të marrin pjesë boksierë nga 10 shtete të botës dhe sigurisht që një pjesmarrje e tillë pritet të dhurojë ballafaqime shumë të bukura në ringjet e Prishtinës dhe të Gjilanit ku do të zhvillohen ato.

Gjergj KOLA