Kombëtarja e boksit pjesmarrëse në “Gongun e Artë”
Kombëtarja shqiptare e boksit do të marrë pjesë në turneun e rëndësishëm që do të zhvillohet në datat 10-12 nëntor në Shkup të Maqedonisë. Turneun “Gongu i Artë” është i njohur për shqiptarët dhe shkodranët sepse ka patur pjesmarrje të vazhdueshme në të por duhet pranuar se këtë vit, pjesmarrja është shumë e gjerë nga shumë shtete të botës. Ekipi është nisur drejt Maqedonisë paradreken e së mërkurës dhe trajneri i saj Zef Gjoni është shprehur optimist për paraqitjen e boksierëve tanë. “Në këtë aktivitet marrin pjesë ekipe nga shumë vende të botës, madje edhe Kuba do jetë me ekip të plotë. Ka stimuj materialë për fituesit prandaj dhe ka një pjesmarrje të gjerë”-ka thënë ai. Në rradhët e ekipit kombëtar bëjnë pjesë dy bokserë tiranas, Serxhio Sina dhe Taulant Zajmi si dhe dy shkodranët Asmer Bilali dhe Kristian Demaj. Pikërisht tek këta dy të fundit, duken edhe shpresat e mëdha të kombëtares sonë për medalje dhe këtë e thotë edhe trajneri Gjoni: “Unë njoh më mirë gjendjen e Bilalit dhe Demës dhe natyrisht që pretendoj medalje prej tyre, por shpresojmë që këtë gjë ta bëjnë edhe dy boksierët e tjerë”. Turneu zgjat tre ditë dhe finalet do jenë pikërisht të shtunën, aty ku shpresojmë se ndonjë nga boksierët tanë do nderohet me medalje.