Prej dy ditësh është grumbulluar në Shkodër ekipi kombëtar i çiklizmit i cili do të marrë pjesë në Xhiron e Shqipërisë, aktivitet ky që do të startojë javën e ardhshme.
Trajnerët Dashamir Rama dhe Leonat Kola për momentin nuk i kanë në dispozicion të gjithë çiklistët sepse ende nuk janë bashkuar me ekipin edhe sportistë si Ylber Sefa, Kliti Jaku e ndonjë tjetër.
Por ndërkohë në stërvitje janë edhe emra të tillë si Eugert Zhupa e Besmir Banushi, të cilëve u janë bashkuar edhe Bruno Kola, Astrit Kronaj etj.
Po synohet që gjatë kësaj jave të bëhet më e mira e mundshme në stërvitje por duhet thënë se pengesa e madhe kanë qenë kushtet atmosferike aspak të përshtatshme por çiklistët e kombëtares kuqezi kanë sfiduar reshjet e shiut dhe kanë vijuar me programin e tyre stërvitor.
Xhiroja e Shqipërisë është aktiviteti më i rëndësishëm kombëtar por që prej tre vitesh ka marrë përmasa shumë të mëdha sepse pjesmarrës në të janë edhe shumë ekipe profesioniste nga mbarë Europa, çka ka bërë që ai të shndërrohet në një eveniment shumë të rëndësishëm dhe jo më kot, ka hyrë edhe në kalendarin e Federatës Botërore të Çiklizmit.
Xhiroja e Shqipërisë sivjet do të startojë nga Shkodra pikërisht ditën e hënë me etapën Shkodër- Tuneli i Kalimashit- Shkodër ndërkohë që ekipet pjesmarrëse do të mbërrijë në qytetin tonë ditën e dielë.
© shkodrasport.com