Të premten në orën 17.00 në stadiumin “Loro Boriçi” do të zhvillohet një tjetër ndeshje e rëndësishme e ekipeve tona kombëtare. Këtë herë bëhet fjalë për kombëtaren e femrave e cila do të ndeshet me atë të Polonisë. Ndeshja është e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror. Padyshim që konsiderohet një sfidë shumë e vështirë megjithatë vajzat tona do të mundohen të bëjnë maksimumin ndaj një kombëtare me shumë përvojë në futbollin e femrave siç është ajo polake.
Kombëtarja shqiptare e cila drejtohet nga treshja shkodrane Grima, Sinani, Legata, që nga dita e hënë është e grumbulluar në Shkodër ku po zhvillon dhe përgatitjet e fundit për këtë takim.
Ekipi duket I kompletuar dhe nuk ka mungesa dhe kjo natyrisht që është diçka positive për stafin teknik që padyshim do të hedhë në fushë formacionin më të mirë.
Vetë zhvillimi I kësaj ndeshje në Shkodër tregon për vlerësimin që Federata Shqiptare e Futbollit I ka bërë këtij qyteti I cili po dominon në këtë futboll prej vitesh dhe interesimi për të duket më I madh.
Përpos kësaj, gati gjysma e ekipit tonë kombëtar përbëhet nga vajzat e Vllaznisë që është kampione në fuqi e vendit. Institucioni I futbollit u ka bërë thirrje tifozëve shkodranë të jenë të pranishëm në “Loro Boriçi” pasditen e së premtes për të mbështetur vajzat kuqezi.
Jo më kot, edhe hyrja e tyre do të jetë falas dhe shpresohet që me një mbështetje të konsiderueshme të tifozëve, Shqipëria të arrijë të marrë pikët e para në këto eliminatore.
© shkodrasport.com