Tre ditë pas fitores së arritur në miqësoren e parë në Bullgari, këtë herë kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave është mundur. Sërish është përballur me kombëtaren bullgare dhe rezultati i arritur në fundin e takimit ka qenë 3-0 për vendaset. Ndoshta në pamje të parë krijohet ideja e një rezultati të çuditshëm por në fakt duhet thënë se ndeshja është luajtur në temperatura shumë të ulëta, minus zero gradë. Kjo padyshim që ka ndikuar tek vajzat tona të cilat nuk kanë arritur të përshtaten me temperatura të tilla.
Dhe në fakt ato nuk kanë qenë të pranishme vetëm sot por prej 2-3 ditësh dhe stërvitja që kombëtarja jonë ka zhvilluar nën drejtimin e trajnerit Grima, nuk ka qenë në nivelin e duhur. Gjithsesi këto kanë qenë thjesht dy miqësore që do t’i shërbejnë atij dhe stafit për të parë gjendjen e ekipit por edhe të disa vajzave që janë ofruar në këto ndeshje nga kampionati shqiptar dhe që mund të jenë pjesë e kombëtares në vazhdim. Në këtë mënyrë, dy miqësoret e Bullgarisë janë mbyllur me një fitore 2-0 (dy gola të Sara Maliqit) për kombëtaren tonë dhe një fitore sot 3-0 për kombëtaren bullgare.
© shkodrasport.com