Kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave është nisur ditën e djeshme drejt Maltës ku do të zhvillojë tre ndeshjet e vlefshme për turin eliminator të Kampionatit Europian. Para nisjes ka qenë edhe presidenti Duka që i ka takuar dhe u ka uruar suksese këtyre vajzave dhe stafit që i drejton. Ndonëse është pjesmarrja e parë e kombëtares sonë në të tilla eliminatore, duhet thënë se skuadra e drejtuar nga Altin Rraklli pretendon kalimin e turit. Interesant është fakti se baza e kombëtares sonë janë dy ekipet e Shkodrës, Ada dhe Juban Danja. Nga këto dy ekipe janë grumbulluar në kombëëtare për këto ndeshje plot 12 futbolliste, nga 6 prej secilit. Kështu nga Ada janë grumbulluar portieria Kokiçi e me rradhë, Bajrakurtaj, Govori, Proto, Berisha, Baro. Ndërsa nga Juban Danja janë thirrur Veliu, Preçi, Rrahmani, Selmani, Seranaj dhe Jashari. Ndeshja e parë e ekipit tonë përfaqësues do të jetë ditën e nesërme me vendin organizator- Maltën ndërsa në ditët në vazhdim do të luajë pikërisht më 6 prill me Letoninë dhe më 9 prill me Luksemburgun. Në përfundim të paraeliminatoreve, dy skuadrat e renditura më mirë në grupet respektive do t’i bashkohen fazës në grupe, përkatësisht 38 përfaqësueseve të tjera (të ndarë në shtatë grupe, shorti i së cilës do të hidhet më 16 prill).
www.shkodrasport.com