
Më datë 11 mars, kombëtarja e femrave do të luajë ndeshjen kualifikuese ndaj Qipros. Ekipi i drejtuar nga trajneri Armir Grima, ka nisur grumbullimin në Ulqin me objektiv përgatitjen për një paraqitje sa më të mirë ndaj rivalëve qipriote. Tekniku shkodran ka theksuar se është i lumtur me gatishmërinë që lojtaret kanë treguar, ndërsa me anë të stërvitjeve do të kërkojnë të jenë në kondicionin e duhur.
Ndërkaq, Grima nuk ka harruar të komplintojë edhe Shqipërinë U 16 të femrave, e cila me trajnerin Agustin Kola fitoi turneun UEFA Development. “Jemi në ditët e para të grumbullimit, seancat e para stërvitore, po mundohemi që t’i japim një ngarkesë vajzave për këto ditë që jemi në grumbullim edhe mendoj se do ta përballojmë. Kemi vajza të kampionatit shqiptar, jemi munduar që të marrim nga të gjithë ekipet e kampionatit shqiptar, më shumë është edhe për t’i motivuar dhe për të parë edhe elementin e ri që mund të afrojmë në ekipin kombëtar.
Grumbullimi do të zgjasë 7 ditë, besoj që do jemi në dy seanca stërvitore në ditë, thashë është një periudhë me ngarkesa, gjithmonë është në shërbim të ndeshjes që do zhvillojmë me datë 11 mars me Qipron. Jam i kënaqur me gatishmërinë e vajzave, kondicionin do ta shohim gjatë ditëve në vijim, them që vajzat kanë nevojë shumë për stërvitje dhe mendoj që kjo do të na shërbejë shumë.
Këtë periudhë do ta shfrytëzojmë për të riaftësuar vajzat dhe për t’i sjellë në kondicionin e duhur fizik. Unë normalisht dua të falenderoj Federatën Shqiptare të Futbollit për politikat e saj që po bën për zhvillimin e futbollit të femrave, jo vetëm për ekipet kombëtare por për përhapjen e futbollit në çdo qytet dhe në çdo shkollë. Besoj që kjo është baza për të menduar që do të kemi një futboll vajzash më të fortë në të ardhmen dhe me masivitet më shumë.
Suksesi i U 16? Kënaqësi e madhe ai sukses, normalisht të fitosh një turne është kënaqësi e madhe dhe unë i përgëzoj shumë, përgëzoj vajzat shumë, përgëzoj trajnerin Agustin Kola për punën shumë të mirë që ka bërë, normalisht edhe trajnerët e ekipeve të vajzave që i kanë parapërgatitur dhe i kanë sjellë aty për të fituar një turne.
Është një sukses dhe një kënaqësi e madhe për një vend si ne që të arrijmë të bëjmë tre fitore”, u shpreh Grima. Ndërkohë, nga grumbullimi ka folur edhe lojtarja Zylfie Bajramaj, e cila beson se mund të marrin rezultat pozitiv kundër Qipros, ndërsa fton të gjitha vajzat të angazhohen më shumë me futboll. /VipSport/