Opinion nga Ramadan BIGZA

Nuk e di sesa një trajner i huaj i Kombëtares sonë e ndjen këtë emocion që përjeton secili prej nesh. Si për të na e kuptuar këtë mendim, thuajse të gjithë trajnerët e Kombëtares sonë kanë deklaruar përpara kamerave se e ndjejnë veten “shqiptar”. E pra, jo rallë nuk ka ndodhur kështu. Në këtë periudhë të gjatë të drejtimit të Kombëtares sonë nga trajnerë të huaj, kemi parë trajnerë që na kanë braktisur, trajnerë që kanë tentuar për t’u larguar e janë kthyer rrugës.
Trajnerë që nuk kanë arritur asnjëherë objektivat e vëna apo trajnerë që jo rallë janë justifikuar se këto janë mundësitë. Shqipërisë i mungon kjo, e i mungon ajo etj. Shumë prej tyre e kanë parë Kombëtaren si një trampolinë për të rregulluar biografitë e tyre e të tjerë justifikimin e kanë bërë dalje te futbollistët, duke i akuzuar ato për shitje ndeshjesh.
Edhe pse pra është harxhuar shumë për këta trajnerë, ne kemi qëndruar në vendnumëro. Aq më keq nuk kemi arritur të realizojmë qëllimin e madh që e kemi pritur prej vitesh që ta shohim ekipin tonë në finalet e një evenimenti të rëndësishëm si finalistë në kampionatet europiane apo botërore. Mos po kërkojmë shumë? Jo, në asnjë mënyrë.
Shtete të tjerë të barabartë, dikur me ne, si Sllovenia, Bosnja a ndonjë tjetër, ia kanë arritur këtij qëllimi. Ndërsa ne kemi mbetur thjesht tek ato dëshira, që nuk u realizuan kurrë. Nuk e di, por teksa flas për trajnerët, më kujtohet një ndeshje e kombëtares sonë në Gjermani. Duke qenë jashtë vendit e shikoja me mall të veçantë Kombëtaren tonë. Më bënte përshtypje çdo thënie, çdo interpretim apo vlerësim pozitiv për të.
Është vërtet një krenari, që veç ai që e ka përjetuar di ta tregojë. Nuk dua të shkëputem nga ai moment që, edhe tani pas shumë viteve, më duket shumë prekës. Mediat gjermane kishin intervistuar trajnerin e Kombëtares sonë Medin Zhega. Dhe ai, me një gjermanishte perfekte, kishte deklaruar se ekipi që ai drejton, kishte ardhur për të fituar ndaj Gjermanisë.
Kjo deklaratë e Zhegës kishte bërë një bujë të madhe në mjedisin sportiv gjerman dhe jo vetëm atij. Më kujtohet se në një nga televizionet më prestigjozë të vendit ishte i ftuar në rolin e analistit trajneri i sotëm e Bajernit të Munihut, Jup Hejnkes. Mediat e shumta vizive i kushtuan rëndësi të jashtëzakonëshme fjalës së trajnerit shqiptar, që ishte një surprizë e madhe për kohën.
Kamera të shumta, madje edhe nga ajri jepnin pamje direkte të ekipit tonë, që nga ai doli nga hoteli dhe mori rrugën drejt stadiumit. Imagjinoni ta shikoni ekipin tënd të vlerësohet në atë mënyrë nga gjermanët. Ishin vërtet momente të jashtëzakonshme. Në fakt, ishte një kohë që duelet Shqipëri-Gjermani nuk ishin takime midis dy ekipe të niveleve të ndryshme, por takime që fitoren apo humbjen e zgjidhnin momente të veçanta të lojës.
Më parë, ekipi nën drejtimin e Astrit Hafizit kishte humbur, si i thonë kot ndaj një Gjermanie të fortë, në një ndeshje të zhvilluar në Granada të Spanjës, sepse në Shqipëri ishte një gjendje e jashtëzakonëshme për shkak të ngarjeve të vitit 1997.
Dhe si për të mos treguar se ky rezultat nuk ishte një rastësi, Shqipëria e Hafizit desh i mori barazimin Gjermanisë brenda në Gjermani, pas një humbjeje që u nënshkrua nga vendësit në minutën e 94-t, duke përfunduar 4-3. Afërsinë e rezultateve të lojës midis dy ekipeve e tregon edhe ky fakt. Mesfushori i shkëqyeshëm shqiptar Bledar Kola, nga 6 gola që ka shënuar gjithsej për kuqezinjtë, 3 gola i ka shënuar një prej portierëve më të mirë të botës, pikërisht gjermanit Oliver Kahn.
Por të kthehemi te rasti Zhega. Besoj se ende e kujtojmë atë foto emblematike të trajnerit tonë pas atij goli befasues të gjermanëve. E megjithëse nën një shi të rrëmbyeshëm, Zhega nuk lëvizte nga vendi nga ajo humbje e pamerituar.
U ndala te roli i trajnerëve, sepse ata kanë rolin e tyre të veçantë në përgatitjen e futbollistëve të Kombëtares dhe marrjen e rezultateve që kërkojmë. Duke vazhduar te trajnerët, me thënë të drejtën, ende nuk e kam kuptuar mendjemadhësinë e Dosenës ndaj Bledar Kolës, të Brigelit ndaj Bogdanit dhe Arjan Beqajt, që për faj të tij, humbën shumë kohë për t’i shërbyer kombëtares.
Nuk e kam kuptuar Bariçin, që edhe pse Bushi ishte bërë tmerr i skuadrave greke, ai nuk thirrej nga trajneri kroat në kombëtare. Nuk e kuptova kurrë Kuzhen, që nuk mbet kush pa i thënë që të rinovojë ekipin, nuk e bëri këtë derisa u detyrua të largohet.
Trajneri De Biazi deklaroi këto ditë se kundër Gjeorgjisë do të jenë prezent vetëm ata lojtarë që kanë një formë të mirë fizike dhe që janë aktivizuar rregullisht në klubet e tyre. Por teksa sheh listën e futbollistëve të grumbulluar, nuk mund të shprehësh disa dyshime. Askush nuk tregon dot se pse nuk është thirrur në kombëtare sulmuesi 25-vjeçar Xhevahir Sukaj, që aktualisht gëzon formën më të mirë ndër futbollistët që luajnë jashtë vendit.
Nëse është vepruar mirë me Vucajn, Balajn, Vajushin e Dushkun, ende nuk e kuptoj prezencën e Osmanit, i cili te Vllaznia mbylli një sezon të dobët, ndër më të dobëtit në karrierën e tij. Nuk mund ta kuptoj thirrjen në kombëtare të disa futbollistëve të Flamurtarit, që ashtu si edhe ata të Vllaznisë, kanë kaluar një sezon me shumë probleme.
Akoma më keq nuk mund ta kuptoj mosthirrjen e Dallkut. Nëse ai nuk është thirrur se ditë më parë ka protestuar për mospërfshirjen në formacion, atëherë kemi të bëjmë me një veprim tejet të gabuar, që i ngjan një diktati, që nuk i shkon përshtat kohës që po kalojmë.
Aktivizimi i të rinjve, qoftë edhe në ekipin kombëtar, duhet gërshetuar me përvojën e më të mirëve, të atyre që nuk u mungon eksperienca. Eksperiementet e shumta nuk janë kurrsesi në favor të ndonjë objektivi të marrë për eliminatoret e Botërorit 2014. Takimi me Norvegjinë është në prag dhe një rezultat i disfavorshëm na largon përfundimisht nga ajo ëndërr që na mban zgjuar prej kohësh.
Kombëtarja nuk duhet të jetë bashkim inatesh a interesash, por bashkim vlerash e mendësive pozitive për t’i dhënë vendit, tifozëve të zjarrtë, kënaqësinë e kualifikimit. Me të drejtë presidenti Duka kërkoi ditët e fundit, që Kombëtarja jonë nuk duhet të jetë inferiore edhe në ndeshjet që luhen jashtë. Tashmë janë pjekur kushtet që edhe në stadiumet e huaja të luhet si në stadiumin tonë.
Maft futbollistë luajnë me ekipe të njohur të kontinentit dhe fusha nuk është më problemi i tyre. Kësisoj, edhe rezultatet duhen të vijnë natyrshëm. Kjo është detyra e trajnerit dhe e futbollistëve që ai drejton. Veçse ne nuk e kemi luksin për të lënë jashtë kombëtares futbollistë që e meritojnë atë.
Është e turpshme t’i lutesh dikujt , duke i thënë hajde në kombëtare dhe nga ana tjetër, të mos grumbullosh ata që kanë vite që luftojnë për të realizuar një ëndërr të tillë. Fanellën e shtrenjtë të Kombëtares duhet ta veshin ata që e meritojnë. Kjo nuk është tashmë një risi, por një postulat, që fatkeqësisht, edhe pse i njohur, nuk është zbatuar.
Norvegjia është në prag. Gjeorgjia është testi i provës. Të fitojmë miqësoren për të pretenduar në fitoren e ndeshjes zyrtare. Mbase më në fund ka ardhur koha për të realizuar ëndrrën aq të dëshpëruar. Por ëndërrat nuk realizohen duke parë ëndrra, por duke i shndërruar ndeshjet në beteja të vërteta sportive, ku të spikasë loja e bukur dhe rezultati fitues.