Edvin Murati mendon se kjo është Kombëtarja më e mirë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Ish-mesfushori kuqezi në vitet 1998-2006, është i befasuar nga mënyra se si trajneri Silvinjo po udhëheq këtë grup lojtarësh, teksa sipas tij po e bën më mirë se Xhani de Biazi, me të cilin Shqipëria u kualifikua për herë të parë në Europian. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, 47-vjeçari që dikur ka luajtur për PSG-në në Francë, analizoi ecurinë e Kombëtares dhe atë që i ka bërë më tepër përshtypje në ndeshjet e fundit.
I njohur me nofkën “Lusha”, ish-mesfushori i majtë nuk ngurron të bëjë batuta për të kaluarën e tij si kuqezi, ndërsa i jep të drejtë Altin Rrakllit sa i përket standardit që ka arritur kjo Kombëtare. Murati evidenton edhe stolin shumë të fortë që ka aktualisht Shqipëria dhe faktin që Broja dhe Uzuni kanë humbur vendin me Silvinjon trajner.
Edvin, çfarë ju pëlqen më shumë te kjo Kombëtare?
Është fryma pozitive në ekip që trajneri Silvinjo ka futur dhe që konfirmohet te çdo lojtar në fushë. Unë shikoj me kënaqësi që çdo futbollist, i cili ka luajtur, nuk ka shfaqur ego individuale, por ka dhënë në fushë për skuadrën. Më duket një Kombëtare shumë e mbledhur dhe në harmoni të plotë. Këtë e konfirmojnë edhe ata që nuk luajnë, sepse janë të gjithë bashkë që skuadra të ecë mirë. Për këtë meriton një bravo të madhe trajneri Silvinjo, sepse po bën atë që bëri dikur De Biazi, por me ndryshimin që braziliani po e bën akoma më mirë.
Cili nga lojtarët ju ka befasuar më shumë në këtë ecuri fantastike?
Pa diskutim sulmuesit. Dikur kemi vuajtur shumë, ndërsa tani i kemi me bollëk. U projektua një Kombëtare që mendohej se do të kishte Brojën dhe Uzunin në sulm, por tani ata kanë humbur vendin, pasi po luajnë shumë mirë të tjerë lojtarë. Asani, me ato goditjet precize po bën jashtëzakonisht mirë, gjithashtu Seferi po jep maksimumin e tij, ndërsa edhe Cikalleshi po bën lojën që kërkon trajneri. Edhe kur zëvendësohen, futet Daku dhe bën gjithçka mirë. Çfarë të them, jam i befasuar, sepse Kombëtarja jonë nuk ka pasur kurrë kaq shumë sulmues rezultativë. Për të mos folur për dyshen mbrapa, që e kemi të fortë.
Për cilën dyshe e keni fjalën?
Dyshja Gjimshiti-Ismajli dhe duke shtuar këtu Ajetin, që luajti shumë mirë me Çekinë, është një garanci e madhe për ne. Pastaj, më pëlqen shumë Mitaj në krahun e majtë. Nuk ke çfarë të thuash, pasi të gjithë djemtë janë fantastikë, për më tepër mesfusha me Bajramin, Asllanin dhe Ramadanin. Jemi në një situatë ku mund të themi për ekipin dhe Silvinjon që: “Lëshojini frenat dhe ecni përpara”.
Kemi skuadër më të fortë tani apo kur u kualifikuam për herë të parë në Europianin e Francës?
Më të fortë tani, pa diskutim.
Më mirë De Biazi apo Silvinjo?
Më mirë Silvinjo. Duhet të jemi pak realistë, sepse Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë e para në grup. Rezultatet e tregojnë vetë dhe Silvinjo është më mirë nga të gjithë.
Altin Rraklli ka deklaruar në “Panorama Sport” se kjo është Kombëtarja më e fortë që kemi pasur ndonjëherë. E ndani edhe ju këtë mendim?
Jo mo vëlla, thuaj Rrakllit, e të gjitha kohërave ka qenë kur kemi luajtur ne (qesh). Për të qenë i sinqertë, ka të drejtë Rraklli. Çdo lojtar është në vendin e vet dhe mbi të gjitha kemi një stol shumë të mirë. Ku kemi pasur ndonjëherë ne një stol kaq të fortë! Kjo ia shton edhe më shumë vlerën kësaj Kombëtareje. Kur na dëmtohej ndonjë lojtar ne kemi pasur probleme, sepse laj-thaj ashtu kemi qenë.
Nëse do të ishit tani pjesë e futbollit, cilit mund t’ia zinit vendin në formacionin e Silvinjos?
Kujt t’ia zësh aty, janë të gjithë të mirë! Unë kam luajtur gjithnjë në krahun e majtë dhe besoj se Seferit. Kur kam luajtur me Haxhin në krahë, kemi qenë një dyshe shumë e bukur, që e plotësonim njëritjetrin. Ajo që unë shikoj me kënaqësi tani është se jemi bërë shumë të fortë edhe nga krahët. Dyshet Hysaj-Asani dhe Mitaj-Seferi janë shumë funksionale. Megjithatë, Haxhi-Murati besoj se ka qenë një dyshe e madhe (qesh).
Jasir Asani u grumbullua në Kombëtare 28 vjeç dhe duke luajtur në Korenë e Jugut, në një kohë që ka qenë pjesë e Partizanit dhe gola të tillë ka shënuar edhe në kampionatin shqiptar…
Kjo është një gjë e mirë, sepse pranojnë gabimin që kanë bërë me rastin e Asanit. OK, ka edhe lojtarë që dalin vonë ose më saktë shprehen kur janë në një moshë më të madhe, por dihej loja e Asanit që te Partizani, pasi të gjithë e kemi ndjekur. Gjë e mirë është që tani Asani stërvitet nga Silvinjo, pasi ky trajner i shikon me detaje lojtarët. Nuk është një trajner që vjen vetëm të marrë rrogën dhe premion, e më pas të largohet nga Shqipëria. Një trajner që po e bën punë e përditshme me Kombëtaren si të jetë në një klub dhe që po i merr më të mirën çdo futbollisti.
Kanë mbetur edhe dy ndeshje në nëntor, fillimisht me Moldavinë në transfertë dhe më pas e mbyllim në Tiranë ndaj Ishujve Faroe. Prisni që gjithçka për kualifikimin të mbyllet në Moldavi?
Jemi në një situatë ku duhet të administrojmë mirë avantazhin që kemi dhe e rëndësishme është që të mos pësojmë në Moldavi. Me sulmuesit që kemi, rastet dalin vetë. Ne duhet vetëm që lojtarët të jenë të disiplinuar në detyrat që u jep Silvinjo. Të jemi të pozicionuar mirë në fushë siç kemi bërë deri tani dhe do t’ia dalim.
Për Igli Taren, ky grup lojtarësh mund të bëjë çudira edhe në Europian…?
Futbolli është i bukur, sepse ndodhin edhe këto. Rëndësi ka që fillimisht ta mbyllim në krye dhe të jemi në një vazo favorizuese për shortin e Europianit. Pastaj, shumë e rëndësishme do të jetë ndeshja e parë në Gjermani. Kjo është më kryesorja në Europian. Megjithatë, duhet të jemi me këmbë në tokë, jo të fluturojmë.