Konfirmohet një prej miqësoreve të qershorit për kombëtaren shqiptare. Në Austri përfaqësuesja kuqezi do të luajë kundër Lihtenshtejn. Mbetet ende për t’u përcaktuar stadiumi ku do të zhvillohet ndeshja.

Kundërshtari është përzgjedhur i tillë si një kombëtare e vogël pasi trajnerit Sylvinho i duhet të ketë në formë lojtarët e tij duke shmangur rrezikun e dëmtimit. Me Lihtenshtejn Shqipëria ka luajtur 3 herë. Dy ndeshje për kualifikueset e botërorit dhe një miqësore në vitin 2008.

Të tre takimet kombëtarja i ka fituar me rezultatin e pastër 2-0. Një tjetër miqësore është parashikuar për në datën 7 Qershor, por pritet të konfirmohet skuadra kundërshtare.

Por më parë Shqipëria do të zhvillojë dy ndeshje të tjera miqësore. Më 22 Mars, kombëtarja do të përballet me Kilin, ndeshje që do të luhet në Parma, ndërsa më 25 me Suedinë në Solna, qytet pranë Stokholmit.