Kombëtarja jonë e futbollit do luajë nesër kundër Anglisë në kuadër të kualifikueseve të botërorit Katar 2022. Sfida do luhet në mitikun “Wembley”, ku priten edhe tifozë të shumtë shqiptarë. Një ndeshje më tepër prestigji për kombëtaren tonë që tashmë e ka shumë të vështirë për vendin e dytë.
Por ndeshja e nesërme do ketë edhe një duel shokësh brenda në fushë. Kështu mbrojtësi i kombëtares tonë, Marash Kumbulla do ketë përballë shokun e tij tek Roma, Tammy Abraham. Sulmuesi anglez i verdhekuqve është rikthyer në kombëtaren e “3 luanëve” pas një mungese të gjatë.
Nëse Kumbulla është një titullar i padiskutueshëm tek Shqipëria, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Abraham tek Anglia. Kjo sepse si sulmues kryesor i 1 herë kampionëve të Botës pritet të jetë Harry Kane. Por, duke pasur parasysh disa mungesa që ka Anglia, Abraham mund të luajë si titullar.
Një duel shokësh ky nesër në “Wembley” ku Kumbulla do ketë përballë një lojtar që e njeh mirë. Kjo ndeshje mund të jetë një mundësi e mirë për mbrojtësin shkodran për të treguar vlerat e tij. Kjo edhe për të bindur trajnerin Mourinho tek Roma, i cili ka pasur shumë kritika në drejtim të 21-vjeçarit së fundmi.
Endri ÇINARI