Kombëtarja shqiptare U-17 nis sot grumbullimin në kuadër të përgatitjeve për raundin e parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian “Shqipëri 2025” për këtë grupmoshë. Trajneri i skuadrës kuqezi, Andrea Tedesco ka shpallur sot listën me emrat e 22 lojtarëve të grumbulluar për tre ndeshjet zyrtare të këtij raundi, që do të zhvillohen në vendin tonë gjatë këtij muaji.

11 nga futbollistët e kësaj liste aktivizohen në klube të huaja, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga kampionati shqiptar. Pjesë e kombëtares për këto ndeshje janë edhe plot 7 futbollistë shkodranë. Bëhet fjalë për dy portierët Raffaele Huli dhe Erno Mustafa, për të vazhduar me mesfushorët Amer Kthupi dhe Rikardo Sheji si dhe sulmuesit Gabriel Kulla, Serxho Prendi dhe Mateo Deda.

Stafi teknik i U-17 ka zhvilluar disa miqësore dhe seleksionime gjatë këtij viti për t’u përgatitur si duhet për këtë raund kualifikues. Skuadra do të zhvillojë në Tiranë përgatitjet që prej 6 tetorit e deri në fund të ndeshjeve. Shorti e ka vendosur Kombëtaren shqiptare në Grupin 3 së bashku me Hollandën, Kroacinë dhe Ishujt Faroe me ndeshjet që do të luhen në datat 9, 12 dhe 15 tetor 2024.

Shqipëria U-17 do të luajë ndeshjen e parë ndaj Kroacisë më 9 tetor me sfidën që nis në ora 15:00 dhe më 12 tetor do të përballet me Hollandën (ora 15:00). Të dyja këto ndeshje do të luhen në stadiumun “Air Albania”. Sakaq, ndeshja e tretë dhe e fundit në grup e Shqipërisë do të jetë ajo ndaj Ishujve Faroe, e programuar më 15 tetor, ora 13:30 dhe do të luhet në stadiumin “Egnatia Arena”.

Finalet e këtij kompeticioni do të zhvillohen në Shqipëri në majin e vitit 2025, një ngjarje madhore që do të organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe UEFA, teksa kanë nisur prej kohësh përgatitjet për mikpritjen e këtij eventi. Kombëtarja shqiptare është e kualifikuar automatikisht në finalet e këtij kompeticioni si vend pritës, ndërsa shtatë vendet e para të çdo grupi do t’i bashkangjiten skuadrës shqiptare në këto finale.