Ditën e shtunë, kombëtarja shqiptare e boksit do të udhëtojë drejt kryeqytetit malazez- Podgoricës për të marrë pjesë në një aktivitet ndërkombëtar që do të zhvillohet atje. Ai do të zgjasë dy ditë teksa ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen ditën e shtunë dhe finalet të dielën. Në të pritet të marrin pjesë boksierët e disa shteteve të Rajonit. Shqipëria ndërkohë do të përfaqësohet me katër boksierë. Kështu, në peshën 56 kg do konkurrojë Rexhildo Zeneli, në peshën 64 kg Kristian Shytani, në peshën 81 kg Kristian Demaj dhe pritet të konfirmohet edhe Nelson Hysa në peshën super të rëndë sepse ditët e fundit ai ka patur një dëmtim dhe prandaj duhet marrë konfirmimi përfundimtar i mjekëve për pjesmarrjen e tij apo jo.
Sportistët tanë vijnë pas Memorialit të Shkodrës ku niveli i boksimit ishte shumë i lartë dhe për rrjedhojë edhe në Podgoricë do kërkojnë të tregojnë vlerat e tyre të vërteta. Natyrisht objektivi është për të zënë vende të para në të gjitha peshat ku ata do të konkurrojnë. Trajner i kombëtares sonë edhe në këtë aktivitet sigurisht që do jetë i mirënjohuri Zef Gjoni. Në këtë mënyrë, turneu i Podgoricës do të shërbejë edhe si përgatitje për boksierët që do marrin pjesë në Kampionatin Europian që zhvillohet gjatë këtij muaji. Zhvillimit i të tillë turneve shërben për të mbajtur në formë sportistët dhe gjendja e tyre në këto momente duket shumë e mirë.
www.shkodrasport.com