Në barazim 1-1 është mbyllur ndeshja e parë eliminatore e kombëtares shqiptare të futbollit të femrave, e vlefshme per Kampionatin Boteror. Përballë saj pasditen e sotme ka qenë kombëtarja e Maltës. Ndeshja është zhvilluar në Maltë sepse ky vend është zgjedhur nga FIFA për ndeshjet e grupit tonë. Pavarësisht se takimi është dominuar nga vajzat tona, ata nuk kanë arritur dot të fitojnë. Madje kombëtarja shqiptare ka kaluar e para në avantazh me anë të futbollistes që luan në Australi Elvana Curo në minutën e 76-të. Por kur u mendua se Shqipëria do ta mbyllte me fitore këtë ndeshje të parë, ka ardhur goli i barazimit për vendaset që kanë shënuar me anë të Theumas. Në këtë mënyrë krejt ndeshja është mbyllur në barazim 1-1.

Kjo është ndeshja e parë eliminatore për Shqipërinë ndërkohë që të shtunën luan ndeshjen e dytë me Letoninë ndërsa e treta dhe e fundit do jetë me Luksemburgun të marten e javës që vjen. Ndonëse ka barazuar në takimin e sotëm, Shqipëria konsiderohet pretendente për të kaluar në turin tjetër (do kalojnë dy) dhe shanset janë për këtë gjë. Siç dihet pjesë e kombëtares janë edhe 12 vajzat futbolliste të dy ekipeve të Shkodrës, Adës dhe Juban Danjës.

 

www.shkodrasport.com