Kombëtarja U-21 e futbollit ka luajtur këtë të martë ndeshjen miqësore me Italinë. Sfida, që u luajt në Kaljari, pati fitues vendasit, të cilët dominuan lojën dhe fituan ndeshjen me rezultatin 3-1.
Trajneri Alban Bushi e nisi ndeshjen me disa ndryshime, duke hedhur që nga minuta e parë disa futbollistë, të cilët nuk u aktivizuan në ndeshjen ndaj Spanjës.
Sfida nisi mirë për përfaqësuesen Shpresa të Italisë, të cilët që në minutat e para kërkuan rrjetën, por e mohoi Gentian Selmani dhe pasaktësia e tyre deri në minutën e 26-të.
Kaq rezistoi përfaqësuesja Shpresa e Shqipërisë, që pëson gol pas një moskordinimi në mbrojtje, ndërsa portieri Selmani nuk mund të bënte asgjë përballë gjuajtjes së Dimarcos.
Edhe pjesa në vijim flet e gjitha për italianët, të cilët dominojnë lojën dhe krijojnë raste të shumta, ndonëse janë të pa saktë kur vjen puna në finalizim.
Episodi i vetëm i rëndësishëm pas golit për Italinë, është dëmtimi i Cutrones. Sulmuesi detyrohet të lërë fushën e lojës duke e detyruar Italinë të kryejë zëvendësim.
Ndërkohë për Shqipërinë është Taulant Seferi ai që nga brenda zonës në minutat e fundit të pjesës së parë rrezikon portën kundërshtare, por topi ndalet nga portieri Audero.
Në fund të pjesës së parë, kapiteni i kuqezinjve, Kejdi Bare, ndëshkohet me kartonë të verdhë pas një ndërhyrje të gabuar ndaj një futbollisti vendas. Kështu është mbyllur pjesa e parë e lojës.
Me fillimin e pjesës së dytë skuadra jonë është më agresive. Alban Bushi bën dy zëvendësime duke hedhur në fushën e lojës Abazajn dhe Ramadanin, ndërsa dalin Seferi dhe Mucolli.
Ndërrimet japin efekte të menjëhershme. Minuta e 51 rasti më i mirë për të barazuar. Abazaj gjuan nga goditje dënimi por topin e ndalë shtylla, ndërsa rikthehet te Ramadani që gjuan me kokë por e dërgon jashtë.
Tre minuta më vonë është sërish Ramadani që gjuan nga jashtë zone por sërish topi kalon mbi tranversë. Në gjysëm fushën e Italisë ndihet presioni. Skuadra jonë qarkullon topin, prodhon shumë pasime dhe tenton portën.
Portieri dhe mungesa e fatit bëjnë që rezultati të mos ndryshojë. Ndëkohë në krahun tjetër Italia shfaqet në portën e Selmanit vetëm nëpërmjet kundërsulmeve. Mundimi dhe djersa e skuadrës kuqezi do të shpërblehej në fund të ndeshjes.
Në minutën e parë shtesë është Abazaj që nga jashtë zone gjuan por sërish topin e ndalë shtylla. Topi rikthehet në lojë dhe Vrioni gjuan drejt portës duke e dërguar në rrjetë.
Barazimi zgjat vetëm pak sekonda pasi vendasit rikthehen në lojë dhe me një aksion të shpejtë arrijnë të shënojnë golin e avantazhit me anë të Murgias. Por nuk mbaron me kaq, një minutë më vonë vjen dhe goli i tretë për Italinë nga Parigini, që ndëshkon kështu kuqezinjtë të pavëmendshëm dhe të shpërqëndruar në mbrojtje. Me shifrat 3-1 përfundon takimi miqësor mes Shqipërisë dhe Italisë i ekipeve respektive U-21./telesport/