Kombëtarja shqiptare U-17 do të luajë dy ndeshje miqësore ndaj Azerbajxhanit në datat 17 dhe 19 qershor në stadiumin “Egnatia Arena”, në orën 18:00.
Në këto dy ndeshje miqësore Kombëtarja U-17 do të drejtohet nga trajneri i Shqipërisë U-19, Julian Ahmataj, i cili ka bërë publike edhe listën me emrat e 20 lojtarëve të thirrur për dy miqësoret me Azerbajxhanin.
Dhjetë futbollistë vijnë nga klubet e kampionatit shqiptar, ndër të cilët janë edhe tre shkodranë, dy të Vllaznisë, pikërisht Amer Kthupi dhe Aurel Prendi si dhe portieri që luan me Partizanin, Erno Mustafa. Ndërsa pjesa tjetër aktivizohen në kampionatat e huaja, me ekipe si Ternana, Olympiacos, Genoa, Torino, Reggiana, Juventus, Inter dhe Sasso Marconi, por edhe në mes tyre kemi tre shkodranë të tjerë, Alen Vukaj që luan me Interin, Rikardo Sheji me Torinon dhe Gabriel Kulla me Sassa Marconi.
Kombëtarja shqiptare U-17 do të nisë grumbullimin të premten në Durrës, ku kuqezinjtë do të zhvillojnë edhe seancat stërvitore në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet miqësore me Azerbajxhanin.
Ndeshjet miqësore me Azerbajxhanin U-17 do të shërbejnë për të vëzhguar e testuar nga afër lojtarët e grumbulluar, për t’u përgatitur sa më mirë për raundin e parë kualifikues për Kampionatin Europian U-17 “Shqipëri 2025”.
Shqipëri-Azerbajxhan
17 qershor, 18:00 | “Egnatia Arena”
Shqipëri-Azerbajxhan
19 qershor, 18:00 | “Egnatia Arena”