Kombëtarja e Shqipërisë së femrave për U-19 ka humbur ditën e sotme me rezultatin 2-0 në ndeshjen ndaj Rumanisë. Gjatë gjithë lojës, vajzat kuqezi u munduan të japin maksimumin, për të arritur një barazim pas dy golave të shpejtë të shënuar nga Rumania, por pa sukses.

Në fakt, ekipi i drejtuar nga trajneri shkodran Kreshnik Krepi, është në ndërtim e sipër dhe po ecën hap pas hapi në në arenën ndërkombëtare. Kështu që, për të pritur rezultatet dhe frytet e punës, duhet pak kohë dhe durim akoma.

Rumania shënoi golin e parë që në minutën e 11-të, ndërsa pas katër minutash dyfishuan shifrat dhe me këtë rezultat, u mbyll pjesa e parë, por edhe i gjithë takimi. Në këto dy ballafaqime të fundit, pjesë e vajzave kuqezi janë edhe katër futbollistët shkodrane Klejda Synaj, Matilda Tanushi, Arlinda Kodra dhe Klaudia Boriçi, teksa në përballjen e sotme u aktivizuan tre të fundit.

Ndërkohë, Kombëtarja e Shqipërisë U-19 për femrave, ndeshjen e rradhës, do ta ketë me 11-tetor kundër Armenisë, ku padyshim që do të kërkojë fitoren, për ta mbyllur kësisoj në vendin e dytë të renditjes.
Maringlen ZHIVANI