Kombëtarja U-19 do të nisë të shtunën përgatitjet për miqësoren me Italinë U-19, ndërsa trajneri Armando Cungu ka shpallur tashmë listën e lojtarëve që do të grumbullohen për këtë test të rëndësishëm. Ndeshja mes dy ekipeve kombëtare U-19 do të luhet në Koverçano më datë 10 gusht dhe do të startojë në ora 18:30.

Tekniku i kuqezinjve ka ftuar për këtë test 20 lojtarë, një pjesë e mirë e të cilëve kanë qenë vazhdimisht pjesë e përfaqësueses së nën 19-vjeçarëve gjatë këtij viti e që kanë marrë pjesë në miqësore apo seleksionimet e shumta.

Ne kete liste bejne pjese edhe disa futbolliste shkodrane duke filluar nga portieri Enis Ujka qe luan ne Itali me A.C Bra, per te vijuar me mbrojtesin Daniel Hysaj qe luan me Napolin, mesfushorin Albion Kurbasha qe luan ne Suedi me ekipin IF Brommapojkarna apo dhe Kevin Shkurtin qe luan ne Belgjike me OH Leuven.

Ky është viti i dytë radhazi që Kombëtarja U-19 zhvillon një miqësore ndaj Italisë në gusht, duke e kthyer këtë test tashmë në një traditë. Përfaqësuesja kuqezi do të udhëtojë nesër drejt Italisë ku do të akomodohet në qytetin e Firences. Nën drejtimin e trajnerit Cungu skuadra do të stërvitet për disa ditë në qendrën e Koverçanos, teksa më 10 gusht do të luajë edhe miqësoren ndaj Italisë.

Një ndeshje mjaft e vyer për të parë gjendjen e kësaj skuadre dhe elementët e perspektivës përballë një rivali prestigjioz dhe në kuadër të provës së radhës së Shqipërisë U-19 në arenën ndërkombëtare. Kombëtarja U-19 do të marrë pjesë në kualifikueset e Kampionatit Europian 2022/2023 me kuqezinjtë që janë shortuar në Grupin 7 me Belgjikën dhe Spanjën. Sfidat e këtij grupi do të luhen në Belgjikë në datat 21 dhe 24 shtator.