Kuqezinjtë, miqësore me Maqedoninë e Veriut. Pasi u zyrtarizua para disa ditësh miqësorja e U17, tani e ka radhën U20. FSHF ka bërë të ditur gjatë ditës së sotme se Kombëtarja U20, që drejtohet nga trajneri Ilias Haxhiraj do të ndeshet me homologët maqedonas më 23 shtator në vendin tonë dhe më 26 do të udhëtojë drejt Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, akoma nuk janë përcaktuar stadiumet dhe oraret në të cilat do të zhvillohen këto dy miqësore.
Njoftimi i FSHF-së:
Pas zyrtarizimit të dy miqësoreve që do të zhvillojë ekipi kombëtar U-17 ndaj Maqedonisë së Veriut në muajin shtator, edhe kombëtarja U-20 do të zhvillojë dy sfida miqësore ndaj po të njëjtit kundërshtar në atë muaj.
Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata Maqedonase e Futbollit kanë rënë dakord mes tyre për zhvillimin e dy takimeve miqësore mes skuadrave kombëtare, teksa Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije edhe datat e takimeve. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 23 shtator në vendin tonë, ndërsa më 26 shtator, kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut, ku do të zhvillojnë takimin e dytë. Sakaq, ende nuk janë përcaktuar stadiumet dhe oraret e dy përballjeve miqësore.
Shqipëria U-20 drejtohet nga trajneri Ilias Haxhiraj, teksa tekniku kuqezi do të ketë mundësi të shohë nga afër gjendjen e lojtarëve të kësaj grupmoshe si dhe të vëzhgojë futbollistët e rinj që mund të jenë pjesë e ekipit për herë të parë.
Ekipet e moshave U-17, U-18, U-19 dhe U-20 do të zbresin të gjitha në fushë në muajt gusht dhe shtator dhe do të tregojnë cilësitë e tyre ndaj kundërshtarëve respektivë.
Skuadrat U-18 dhe U-19 do të udhëtojnë drejt Italisë në muajin gusht, ku do të zhvillojnë dy miqësore luksi kundër bashkëmoshatarëve të Italisë në muajin gusht.
Ndërsa ekipi kombëtar U-17 do të zbresë në fushë në muajin shtator, ku do të përballet me bashkëmoshatarët e Maqedonisë së Veriut në datat 12 dhe 14 shtator.