Më në fund Italia që duam, madje edhe më e bukur dhe më e fortë sesa ajo që prisnim në kaq pak kohë. Kur mendojmë se vetëm 3 vite më parë kishim rënë thellë në batak dhe dukej e vështirë që të gjenim edhe një trajner që të mund të kishte besimin që të ndërmerrte këtë sfidë, Roberto Mançini është njeriu me shkopin magjik.

Jo për faktin që po na mrekullon me punën e tij, por me mënyrën e të konceptuarit dhe krijuarit një grup, tek i cili askush nuk besonte më. Kujtoj ende kur pas eliminimit nga Suedia thoshim se në Itali nuk ka më talent, në Itali nuk ka më ide, por pse ishim kaq të verbër.

Ndonjëherë kemi maninë që të vetëshkatërrohemi, por Italia më në fund u rikthye nga mbrëmë aty ku i takon, në elitën e futbollit botëror. Ajo që nuk ngopem së pari në fushë është Xhorxho Kielini dhe Leonardo Bonuçi që së bashku bëjnë 70 vjeç dhe i japin ende leksion botës.

Nuk më hiqen nga sytë ato pritje madhështore të Donarumës, i cili mendoj se ndoshta meriton shumë herë më shumë edhe sesa 10 milionë në vit të PSGsë, por akoma më tepër cilësinë në mesfushë: Zhorzhinjo, Barela, Verrati dhe kemi luksin që të lëmë me zemër të plagosur në stol edhe një tjetër fenomen si Lokateli, i cili në fund të ndeshjes dukej më i lumtur për fitoren, pavarësisht zero minutave lojë.

Tani pres vetëm diçka më shumë në sulm, më saktë diçka më shumë nga Imobile, sepse Insinje dhe Kieza janë të padiskutueshëm, talent dhe sakrificë. Por nëse do të kemi edhe bomberin, mund të shkaktojmë shumë aksidente në fillim.