Pritej të merrej sot një vendim nga ana e Komisionit të Apelit si për klubin Vllaznia ashtu edhe për klubin Tirana pas ankimimeve që ata kanë bërë për dënimet e dhëna nga Komisioni i Disiplinës por nuk ka patur një vendim. Siç merret vesh, anëtarët e këtij komisioni janë mbledhur pasdite dhe kanë diskutuar në lidhje me provat dhe dokumentacionin. Siç dihet Vllaznia është dënuar të zhvillojë 10 ndeshje pa tifozë dhe është gjobitur me 10 milionë lekë ndërsa Tirana me 5 milionë lekë dhe 15 ndeshje pa tifozë. Këto natyrisht që janë dënime të rënda të dhëna për incidentin e ndodhur mes dy tifozerive.
Duhet theksuar fakti se të enjten që shkoi, drejtues të klubit Tirana kanë qenë në Shkodër për të kërkuar falje për gjithçka ka ndodhur mes palëve dhe klubet janë pajtuar. Ky gjest natyrisht duhet të ndikojë në zbritjen e dënimit sepse nuk ka kuptim të zhvillosh më tepër se gjysmën e kampionatit pa tifozë sepse në fund të fundit kampionati për tifozët zhvillohet. Megjithatë anëtarët e Komisionit të Apelit sot nuk kanë arritur të marrin një vendim përfundimtar dhe për këtë arsye është shtyrë gjithçka. Të hënën e ardhshme, në orën 16.00 do të zhvillohet mbledhja e rradhës dhe aty do të merret vendimi si për Vllazninë ashtu edhe për Tiranën.
© shkodrasport.com