Siç është bërë e ditur tashmë, më 7 shkurt do të zhvillohen zgjedhjet për Federatën Shqiptare të Futbollit ku përveç zgjedhjeve për president, do të jeë edhe ato për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Po nëse për garën e parë tashmë janë përcaktuar rivalët, pikërisht Armando Duka dhe Bashkim Fino, interesante është edhe gara për të dytën. Secili prej kandidatëve për president, dëshiron që të ketë me vete edhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv dhe për këtë arsye po lobojnë për propozimin e emrave që ata të mendojnë të kenë përkrah.
Ajo që të bën përshtypje është se në këtë garë pritet të jenë së paku edhe dy shkodranë. I pari nuk është i panjohur. Madje duhet thënë se është një emër i cili ka nderuar jo vetëm Shkodrën por edhe Shqipërinë. Bëhet fjalë për ish- futbollistin e njohur të Vllaznisë dhe të kombëtares, Fatbardh Jera. Ai ka qenë anëtar i Komitetit Ekzekutiv edhe në këtë katërvjeçar të fundit dhe pritet të kandidojë sërish edhe për katër vitet e ardhshme.
Ndërkohë, një emër i ri që pritet të propozohet për këtë garë është ai i Gëzim Podgoricës. Ka qenë Bashkim Fino ai që ka zbardhur disa nga emrat e atyre që pritet të jenë si krahu i djathtë në KE. Bëhet fjalë për gazetarin dhe drejtorin e ATSH Gëzim Podgorica.
Kush do fitojë nga dy shkodranët? Shpresojmë që të dy por e rëndësishme është që në Komitetin e ardhshëm Ekzekutiv të FSHF-së, Shkodra të ketë përfaqësuesin e saj.
© shkodrasport.com