Kompania e raportimit statistikor të FIFA-s, Gracenote, bën parashikime të ndryshme në lidhje me shanset e Kombëtareve për t’u kualifikuar në Botëror në bazë të performancës së tyre dhe treguesit të ekipit, duke marrë parasysh edhe ndeshjet e fundit. Më saktësisht përllogaritjet tregojnë shanset që kanë Kombëtaret për të fituar grupin, për të dalë në vendin e dytë dhe për të shkuar në Botëror, pasi vendi i dytë nuk të jep biletën direkte.
Por çfarë flet letra për Shqipërinë? Aktualisht kuqezinjtë renditen në vendin e tretë duke lënë mbrapa Poloninë. Nëse i referohemi statistikave të “Gracenote”, shanset tona janë shumë minimale. Anglia ka 89% të mundësive për të dalë nga grupi dhe 86% të mundësive që të dalë në vendin e parë.
Ndërkohë Hungaria është ekipi që ka më shumë përqindje për të dalë në vendin e dytë me 59%, por vetëm 19% për t’u kualifikuar në Botëror pas përballjeve që do të ketë nëse do të pozicionohet në vendin e dytë.
Sa i përket Polonisë, grupi i lojtarëve të drejtuar nga Sousa ka 50% të mundësive për t’u pozicionuar në vendin e dytë, ndërsa dëshira e tyre për të dalë në vendin e parë është thuajse e pamundur, vetëm 7%. E sa janë shanset që e shohin Shqipërinë në vendin e dytë?
Vetëm 10% shihet mundësia që kuqezinjtë të lënë pas vetes Hungarinë dhe Poloninë dhe 2% mundësi për t’u kualifikuar në Botëror, ndërsa lista përmbyllet me 0% shans matematikor që Andorra dhe San Marino të bëjnë surprizën. /Sport Ekspres/