Vincent Kompany nuk ka dashur të justifikohet për humbjen 4-1 të Bayernit ndaj Barçës në Montjuïc. Trajneri belg, i cili erdhi në pankinën bavareze verën e këtij viti për të zëvendësuar Tuchel, nuk kërkon justfikime për të përligjur disfatën e hidhur: “Pse humbëm? Nuk ka justifikime për humbjen e sotme. Dua ta përgëzoj Barcelonën për këtë fitore”.

Ai pranoi se Barça i dominoi dhe se do të duhet të qëndrojnë së bashku për ta ndryshuar situatën në Champions League, pasi aktualisht bavarezët janë në vendin e 23-të, falë fitores së vetme kundër Dynamo Kyev (9-2) dhe humbjes ndaj Aston Villa (1-0): “Kemi dështuar ndaj barcelonës, ishte një humbje e qartë. Ne do të qëndrojmë të bashkuar, duhet të mësojmë nga kjo humbje”.

Barcelona nuk mund ta kishte nisur lojën më mirë, me një gol të Raphinha vetëm disa sekonda pasi Slavko Vinçiç i fryu “bilbilit” hapës të ndeshjes. Që nga ai moment, Bayern ishte më i mirë, siç u shpreh vetë ish-lojtari i City dhe Anderlech: “Goli i parë ishte shumë i hidhur. Për gjysmë ore të pjesës së parë pata ndjenjën se mund të fitonim, më pas loja ndryshoi me golin e dytë dhe të tretë. Analiza e saktë e kësaj ndeshjeje do të bëhet me qetësi, në mënyrë që ne të mësojmë prej saj”.

Pasi humbi katër ndeshjet e tij si futbollist kundër Barçës, belgu nuk donte të bënte krahasime mes Barçës me të cilën u përball dhe skuadrës aktuale të Flick: “Këto janë kohë të ndryshme, Barça gjithmonë ka pasur futbollistë të mëdhenj. Nuk mund të bëhen krahasime”.

Me rezultatin 3-1, ai hodhi në lojë Coman, Goretzka, Musiala dhe Sané, veprim që e justifikoi me përmbysjen e rezultatit: “4 zëvendësime sonte? Kemi aktivizuar shumë lojtarë, sepse kishim nevojë për energji të pastra. Katër zëvendësime nuk janë të pazakonta, kur jeni në disavantazh. Diferenca ishte e madhe në atë kohë, kështu që donim energji të reja. Donim t’i jepnim një dinamikë të ndryshme lojës, por nuk ka justifikime për këtë humbje të thellë”./telesport/