Pjesa më e madhe e ekipeve pjesmarrëse të vendit në sportin e boksit, tashmë është e qartë se janë kundër drejtuesve aktualë të Federatës. Për këtë arsye, ato ka kohë që janë duke menduar për ndryshime në kreun më të lartë të këtij institucioni, pra atë të presidentit. Madje, komuniteti i boksit thuhet se ka gjetur edhe njeriun që do të zëvendësojë presidentin aktual Gjergj Leqejza në këtë post dhe ai është biznesmeni i njohur Florent Kalidhopulli. Por për të bërë këtë rrokadë dhe përderisa presidenti aktual nuk ka ndër mend të japë dorëheqjen nga ky post, kjo do të thotë se duhet bërë Asamble e Jashtëzakonshme. Por për ta thirrur këtë Asamble natyrisht që duhet shumica e firmave. Inisiatorët e këtij ndryshimi kanë kohë që punojnë për këtë gjë dhe bëhet e ditur se ata kanë hartuar edhe një peticion duke mbledhur edhe firmat e klubeve që dëshirojnë këto ndryshime në krye të Federatës. Kuptohet që ata kanë lexuar qartë statutin dhe kanë mbledhur aq firma sa u duhen për të thirrur këtë Asamble. Pasi e kanë kryer edhe këtë procedurë, ditën e djeshme mësohet se disa pjestarë të këtij grupi inisiatorë kanë depozituar në Federatë peticionin me firmat e duhura. Siç merret vesh, atë e kanë firmosur shumica e klubeve të vendit, duke filluar nga ekipi kampion Tirana, për të vazhduar me Vllazninë, Flamurtarin, Kukësi, Besëlidhja, Besa, Tomori, shoqatat Rozafa dhe Shkodra Boks etj. Pa harruar që të gatshëm për këto ndryshime janë edhe disa nga anëtarët aktualë të kryesisë të cilët kanë edhe ato të drejtë vote. Në këtë mënyrë, tashmë nuk mbetet gjë tjetër veçse në mbledhjen e rradhës të kryesisë së Federatës Shqiptare të Boksit, pasi të merret në shqyrtim ky propozim i firmosur nga pjesa më e madhe e klubeve (do bëhet verifikimi në bazë të asaj çfarë parashikon statuti) dhe do të jetë e detyruar të thërrasë Asamblenë e Jashtëzakonshme që do të jetë zgjedhore e do të vendosë pastaj për shkarkimin e presidentit aktual Gjergj Leqejza dhe votimin e kandidaturës për president të ardhshëm, e Florent Kalidhopullit. Sporti i boksit kësisoj duket se është në prag të ndryshimeve të reja. Ndryshime që pritet të ndikojnë për mirë në ecurinë e këtij sporti dhe kjo do ishte diçka shumë pozitive. Boksi shqiptar dy vitet e fundit na ka dhuruar tre medalje në kampionatet europiane dhe shumë medalje në turnetë e ndryshëm ndërkombëtarë që janë zhvilluar. Por natyrisht që tani duhet edhe një shtysë më shumë për ta rritur edhe më tej nivelin e këtij sporti.
© shkodrasport.com