Nga Maringlen ZHIVANI

Nora Deda është larguar përfundimisht nga drejtimi i ekipit të Vllaznisë në volejboll për femra. Tashmë, ish-trajnerja nuk do ta vijojë më punën e saj te kjo skuadër, teksa ajo dha dorëheqjen menjëherë pas ndeshjes së luajtur ditën e premte ndaj Teutës në Shkodër. Nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport” pranë Zyrës së Sportit, mes Dedës dhe drejtuesve të Bashkisë Shkodër nuk ka patur asnjë kontakt gjatë këtyre ditëve për rikthimin e saj edhe njëherë tjetër në krye të ekipit të volejbollit të femrave dhe tashmë, ky largim është përfundimtar.

Ish-volejbollistja e njohur e Vllaznisë e mbajti këtë post përreth një viti e gjysëm, ku sezonin e kaluar ekipi kuqeblu arriti edhe objektivin e saj, që ishte hyrja në katër skuadrat më të mira të kampionatit. Tashmë, me largimin e Dedës, drejtuesit e Zyrës së Sportit në Bashkinë e Shkodrës, kanë vendosur që për momentin punën me ekipin e Vllaznisë në volejboll për femra ta vijojë zv/trajneri i kësaj skuadre, Gentian Curraj.

Ky i fundit është emëruar si zv/trajner tek ekipi kuqeblu që në fillim të sezonit të ri, teksa ai është pjesë si volejbollist edhe në skuadrën e meshkujve të Vllaznisë. Në fakt, nuk përjashtohet mundësia që në ditët e ardhshme, drejtuesit e Zyrës së Sportit në Bashkinë e Shkodrës të gjejnë një emër të ri për të vijuar punën në krye të ekipit të Vllaznisë në volejboll për femra, por momentalisht vajzat kuqeblu do t’i drejtojë zv/trajneri Curraj.

Një situatë kjo që vjen pikërisht në prag të javës së shtatë të kampionatit, teksa Vllaznia do të luajë në transfertë ndaj Dinamos dhe në këtë ndeshje, në krye të ekipit kuqeblu do të jetë pikërisht Curraj, i cili do të synojë të bëjë më të mirën e mundshme për ta çuar më përpara skuadrën shkodrane./www.shkodrasport.com/