“Shkodra Sport” e kishte paralajmëruar para pak ditësh dhe në orët e fundit ka ardhur edhe konfirmimi. Arlind Kalaja është i larguari i rradhës nga ekipi i Vllaznisë. Mesfushori me tipare sulmuese së fundmi ka shkëputur çdo marrëdhënie kontraktuale me ekipin kuqeblu dhe tashmë është një futbollist i lirë.
Por 26-vjeçari duket se karrierën e tij dhe pjesën e mbetur të sezonit ka vendosur ta vijojë në Suedi. Për momentin emri i ekipit të ri të mesfushorit ende nuk dihet, por një gjë është e sigurtë që Kalaja do shkojë në vendin skandinav për aventurën e tij të parë jashtë vendit.
Aktivizimi i tij ka qenë me pikatore në pjesën e parë të sezonit, ku nuk është konsideruar nga trajneri Brdariç. Ndryshe nga sa ndodhte në sezonin e shkuar ku Kalaja ishte një nga opsionet e rëndësishme të ekipit. Kalaja në futbollin shqiptar është aktivizuar me ekipe si Kukësi, Kastrioti, Vllaznia dhe Teuta.
Me këta të fundit madje ka arritur të fitojë edhe një kupë dhe një superkupë në sezonin 2019-20. Tashmë shkodrani do provojë shansin e tij jashtë vendit tonë, si edhe mundësinë për të shpërthyer edhe njëherë e për të treguar shumë nga talenti që zotëron.
Endri ÇINARI