Nga Endri ÇINARI
Katër golat e shënuar në fitoren e fundit kundër Skënderbeut ditën e dielë, rikonfirmuan Vllazninë si skuadrën që shënon më shumë në kampionat. Me 4 rrjetat ndaj korçarëve, kuqeblutë u ngjitën në kuotën e 35 golave të shënuar pas 21 ndeshjesh. Duke qenë në këtë statistikë të vetëm në kampionat, ku shkodranët i ndjek momentalisht Dinamo me 34 gola të shënuar.
E ndërsa treshen e ekipeve që kanë shënuar më shumë e mbyll Egnatia, me 28 gola në favor. Po ashtu një faktor pozitiv në ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut ishte mos pësimi i golit nga ana e shkodranëve. Një fakt që e kanë vuajtur në shumë ndeshje këtë edicion, duke pësuar 26 gola në total deri në këtë pikë të kampionatit. Po ashtu një konfirmim tek Vllaznia është edhe Bekim Balaj.
Sulmuesi shënoi një tripletë në fitoren e fundit kundër Skënderbeut. Duke u ngjitur kështu në kuotën e 13 golave në kampionat dhe duke iu afruar shumë rekordit të sezonit të shkuar.
Shtatlarti u shpall golashënuesi i edicionit të shkuar me 17 gola, rekord që me një ritëm të tillë pritet të thehet nga shkodrani. Me ish-sulmuesin e kombëtares që në garë për golashënuesin më të mirë po rivalizon me dyshen e Dinamos, Zabërgja-Itodo. Me të parin që ka shënuar 10 gola e nigeriani me 9 të tillë./www.shkodrasport.com/