Mehdi Çoba ishte një nga protagonistët e golit të barazimit të Vllaznisë kundër Univ.Craiova në ndeshjen e parë të Conference League. Sulmuesi shkodran ishte iniciator i golit ne driblimin e tij, ku pasoi për Markun që pastaj nxorri me portën të boshatisur Ardit Hoxhajn që nuk gaboi duke dërguar topin në fundin e rrjetës.

Realisht loja e 22-vjeçarit erdhi në rritje me kalimin e minutave. Kjo pasi në pjesën e parë jo vetëm Çoba, por thuajse gjithë skuadra kuqeblu ishte jashtë ritmit. Me fillimin e pjesës së dytë u duk se skuadra ishte më e vendosur në fushën e lojës, kjo rritur edhe nga performanca e disa lojtarë të veçantë.

Mehdi Çoba konfirmohet si “njeriu i Europës”, pas edhe performancës shumë pozitive në sezonin e shkuar në takimin e dyfishtë kundër Siroki Brijeg. Po ashtu duhet theksuar se mëngjërashi ka luajtur me anë të injeksoneve , duke mos qenë kështu në 100% e tij të formës fizike dhe mes sakrificës arriti një performancë pozitive.

Tashmë pritet një tjetër ndeshje të mirë nga ana e Çobes dhe e gjithë skuadrës së Vllaznisë. Kjo për të arritur një kualifikim që do ishte historik, pasi do ishte hera e parë e Vllaznisë që do kalonte në turin e tretë të një kompeticioni europian.
Endri ÇINARI