Për dy ditë më radhë Tirana priti për herë të parë Kongresin e Unionit Ballkanik të Çiklizmit, një event që solli në vendin tonë drejtuesit e federatave të dyrrotakut rajonal. Në këtë kongres u konfirmua me vota unanime president i Unionit Ballkanik turku Emin Muftuoglu, si kandidaturë e vetme në zgjedhje.
Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Alfred Tahiraj u zgjodh zv.president i BCU dhe bashkë me të u zgjodh në postin e zv.presidentit edhe Catalin Sprinceana, i Rumanisë. Punimet e Kongresit u përshëndetën nga Presidenti i Unionit Europian, Enrico Della Casa, ndërsa i ftuar nder ishte edhe kreu i KOKSH, Fidel Ylli, me kongresin që u përshëndet gjithashtu edhe zv.ministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha.
Në një prononcim për median e shkruar, presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, e quajti vlerësim të madh pritjen e kongresit nga Shqipëria, ndërsa shprehu falënderimet e tij për mbështetësit e çiklizmit në vendin tonë: “Është nder i madh që të gjithë federatat ballkanike e mirëpritën me dashuri këtë eveniment. Gjithçka kaloi në mënyrë jashtëzakonisht të mirë dhe një vlerë të madhe ka kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, njeriu që i ka ndenjur gjithmonë afër sportit dhe çiklizmit shqiptar.
Gjithashtu presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, zv.ministri Endrit Hoxha, i cili nuk na u nda nga fillimi e deri në fund të kongresit që u mbyll në mënyrë të shkëlqyer. “Me këtë rast dua që ti përshëndes të gjithë delegatët dhe zgjedhjen e Alfred Tahirajt me vota unanime zv.president të Federatës Ballkanike, i cili është njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv në KOKSH. Ky është vlerësim jo vetëm për çiklizmin por për të gjithë sportin shqiptar. Çiklizmi në Shqipëri do të ketë një prioritet shumë të madh, aq më tepër tashmë që do të marrim pjesë në Xhiron e Italisë. Unioni Ballkanik do të na japë mbështetje të madhe, duke e zhvilluar sportin e çiklizmit në vendin tonë”, u shpreh fillimisht Anxhaku