Dy fitore radhazi që përkojnë me aktivizimin si titullar të Mateo Gabias.

Pavarësisht golave të pësuar (tre), Milani ndaj Komos siguroi një sukses që vlen shumë si për renditjen, ashtu edhe për besimin e një skuadre që vinte nga tri humbje radhazi. Në “Milanello” kanë mbetur pak lojtarë nën urdhrat e trajnerit dhe një prej tyre është mbrojtësi që ka dhënë disa deklarata për televizionin e klubit.

Si është atmosfera në skuadër?

Ndaj Komos erdhi një fitore e rëndësishme, siç ishte edhe ajo kundër Leçes. Por tashmë ato janë e kaluara. Pas kombëtareve, na pret një ndeshje e vështirë e për më tepër në transfertë. Napoli luan për kreun, por ne duam të marrim rezultatin dhe të lëmë përshtypje të mirë.

Sa ndikon mungesa e impenjimeve mesjavore për të përgatitur ndeshjet?

Është e rëndësishme të punojmë mirë gjatë javës, por më e rëndësishmja është të japim përgjigje të rëndësishme në fushë. Ne presim një rritje rendimenti të mirë në muajt që do të vijnë. Do të jenë disa ndeshje që do të kërkojnë përpjekje maksimale kolektive e duhet të jemi gati.

Çfarë ju thotë Konseisao këto ditë që jeni të paktën në stërvitje?

Trajneri është shumë i zoti për të na përcjellë atë që dëshiron. Kemi pasur dy javë të mira stërvitore dhe tani duhet të përpiqemi ta dëshmojmë në fushë kundër kundërshtarëve të vështirë. Ne jemi të përqendruar, të etur dhe të vendosur për të bërë më të mirën që mundemi.

Cili është reagimi që duhet të japë Milani?

Duhet të japim përgjigje sa herë që luajmë, fanella jonë e kërkon këtë. Ne do të jemi të kënaqur nëse japim 100 për qind në fushë dhe nëse i fitojmë ndeshjet që është ajo që duam, do të jetë akoma më mrië. Ka shumë rëndësi që të paraqitemi si një ekip i bashkuar dhe kompakt.

Sa shanse ka kjo skuadër për të arritur mes katër të parave?

Vendi i katërt është gjashtë pikë larg dhe do të duhet të jemi perfektë e njëkohësisht që rivalët të gabojnë. Nëse përfitojmë nga rrëshqitjet e konkurrencës, mund të jemi të rrezikshëm në ndeshjet e mbetura. Besojmë se mund të bëjmë më mirë.